Sahihu i Buhariut — Hadithi 5124

35. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t’i kërkoni apo nëse këtë qëllim e fshihni në shpirtin tuaj. Allahu e di se do të mendoni për ato, por mos u premtoni atyre fshehurazi, vetëm nëse bisedoni me to ndershmërisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.”

5124. Nga: Abdullah ibn Abasi

Talku më ka thënë: Na ka treguar Zaide nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t'i kërkoni...” (Bekare, 235), ka thënë: “Pra, i thotë: “Unë dua të martohem dhe kam dëshirë të më lehtësohet martesa me një grua të mirë.”
Kasimi ka thënë: “Ai i thotë: “Ti për mua je fisnike, kështu që po të lakmoj ty dhe se Allahu do të ta sjellë të mirën!” - a diçka të këtillë.”
Atai ka thënë: “I shprehet tërthorazi, jo qartazi, duke i thënë: “Unë kam nevojë dhe përgëzohu, se ti je shumë e kërkuar, elhamdulilah.” Ajo i thotë: “Të dëgjova çfarë the.” Mirëpo nuk i premton asgjë e as kujdestari i saj nuk premton diçka pa dijen e saj. Nëse ajo i premton dikujt derisa është në afatin e pritjes,1 pastaj martohen, nuk detyrohen të ndahen.
Haseni ka thënë: “... por mos u premtoni atyre fshehurazi...” nënkupton zinanë.
Tregohet se Ibn Abasi, në lidhje me ajetin: “... para se të kalojë afati i paraparë i pritjes...”, (Bekare, 235) ka thënë: “Të përfundojë afati i pritjes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5124

Fjalë të panjohura?