Sahihu i Buhariut — Hadithi 5126

36. Nënkapitulli: Të shohësh femrën para martesës

5126. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jakubi nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta ofroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ ktheu kokën nga ajo, e shikoi mirë, pastaj e uli kokën. Kur gruaja pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diç për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut, - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Për Allahun, nuk paskam asgjë.”
- “Kërko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Shkoi prapë dhe, kur u kthye, tha: “Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe, kur Pejgamberi ﷺ e pa se donte të largohej, urdhëroi ta thërrisnin. Kur erdhi, i tha: “Sa pjesë të Kuranit di ti përmendsh?”
- Di këtë sure dhe atë sure, - tha ai dhe i numëroi.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - tha ai.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5126

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?