Sahihu i Buhariut — Hadithi 5130

37. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë: "Nuk ka martesë pa lejen e kujdestarit."

Allahu i Madhëruar ka thënë: - “Kur t’i lini gratë të lira dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...”(Bekare, 232) Ky ajet përfshin të venë dhe beqaren. - “... Mos i martoni muslimanet me paganë, derisa ata të bëhen besimtarë....” (Bekare, 221) - “ Martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju...” (Nur, 32)

5130. Nga: Makil ibn Jesari

Ahmed ibn Ebu Amri na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ibrahimi nga Junusi, e ky nga Haseni se Makil ibn Jesari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ajeti: “... mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...”, (Bekare, 232) ka zbritur për mua. Unë e pata martuar motrën time me një burrë, i cili e shkurorëzoi dhe, pasi kaloi afati i pritjes, ai erdhi sërish për ta kërkuar. Unë i thashë: “Të kam martuar e të kam bërë me shtrat dhe të kam nderuar, por ti e shkurorëzove, e tash erdhe ta kërkosh sërish?!” Jo, për Allahun, ajo kurrë nuk do të kthehet te ti! Ai ishte burrë i mirë dhe gruaja kishte dëshirë t'i kthehej.” Kështu, Allahu e zbriti këtë ajet: “... mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...” Atëherë thashë: “Eh, tani po! Do ta bëj, o i Dërguari i Allahut.” Dhe e martova sërish me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5130

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?