Sahihu i Buhariut — Hadithi 5132

38. Nënkapitulli: Nëse kujdestari është ai që e kërkon për martesë

Mugire ibn Shube kërkoi për martesë një grua, kujdestari më i afërt i së cilës ishte vetë ai. Kështu, Mugire autorizoi një njeri dhe ai e kurorëzoi me atë grua. Abdurrahman ibn Aufi i tha Umu Hakim bint Karidhit: - A më autorizon mua për ty (për martesë)? - Po, - i tha ajo. - Atëherë, po martohem unë me ty, - i tha Abdurrahmani. Atai ka thënë: "Vetë kujdestari le të dëshmojë: "Unë martohem me ty, ose le të urdhërojë një të afërm të saj (që të dëshmojë)." Sehli ka thënë: "Një grua i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: "Po të vetofrohem. Në atë rast, dikush tha: "O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!"

5132. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ahmed ibn Mikdami na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me Pejgamberin ﷺ, një grua erdhi dhe ia propozoi vetveten. Pejgamberi ﷺ e shikoi poshtë e lart, por nuk i pëlqeu. Njëri nga shokët e tij tha:
- O i Dërguari i Allahut! Martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar (për mehër)?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam asgjë!
- “As dhe një unazë hekuri!?”
- As unazë hekuri, por po e ndaj këtë xhyben time në dysh dhe po ia jap gjysmën, - tha ai.
- “Jo”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ: - “A di diçka përmendsh nga Kurani?”
- Po.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5132

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?