Sahihu i Buhariut — Hadithi 5141
45. Nënkapitulli: Nëse personi i drejtohet kujdestarit: "Më marto me filanen! - e kujdestari ia kthen: "Po të martoj me të, në këmbim të kësaj e asaj, - pranohet kurorëzimi, edhe nëse nuk e pyet burrin: "A po pajtohesh?" ose: A po pranon?"
5141. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti te Pejgamberi ﷺ dhe ia ofroi veten e saj. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Tani nuk kam nevojë për gra.”
- O i Dërguari i Allahut! Martoje me mua! - tha një burrë.
- “Çfarë ke për t'i ofruar (për mehër)?” - e pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Asgjë nuk kam, - iu përgjigj.
- “Dhuroji, qoftë dhe një unazë hekuri!”
- As atë nuk e posedoj, - tha ai.
- “Çfarë di nga Kurani?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Këtë e atë, - tha ai.
- “Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”