Sahihu i Buhariut — Hadithi 5224

108. Nënkapitulli: Xhelozia

Revadi përcjell nga Mugire se Sad ibn Ubade ka thënë: "Sikur të shihja një burrë me gruan time, do ta godisja me teh të shpatës." Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “A po çuditeni me xhelozinë e Sadit!?" Unë jam më xheloz se ai, e Allahu është më xheloz se unë.”

5224. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur u martova me Zubejrin, ai nuk posedonte asgjë mbi tokë, as pasuri e as rob, përpos një deveje, me të cilën nxirrte ujë, dhe kalit të tij. Unë e ushqeja kalin dhe nxirrja ujë, e arnoja calikun dhe e bëja brumin, por nuk dija të gatuaja bukë. Prandaj, bukën ma gatuanin disa fqinje ensare, të cilat ishin gra të sinqerta. I bartja hurmat mbi kokë nga ara e Zubejrit, që ia kishte dhuruar i Dërguari i Allahut ﷺ, e cila ndodhej larg sa dy të tretat e një fersehu (përafërsisht katër kilometra). Një ditë, teksa po kthehesha me hurma mbi kokë, e takova të Dërguarin e Allahut ﷺ me një grup ensarësh. Ai më thirri dhe më tha: “Ih, ih!”1 - që unë të hipi prapa tij në deve, mirëpo u turpërova të ecja me burra, si dhe m'u kujtua Zubejri dhe xhelozia e tij, i cili ishte njeriu më xheloz. I Dërguari i Allahut ﷺ e kuptoi se unë po turpërohem, andaj vazhdoi. Kur shkova te Zubejri, i thashë: “Teksa po bartja hurmat mbi kokë, më takoi i Dërguari i Allahut ﷺ me disa shokë të tij dhe e uli devenë që unë të hipja, porse u turpërova dhe m'u kujtua xhelozia jote.” Ai tha: “Për Allahun, bartja jote e hurmave është më e rëndë për mua sesa të hipësh me të (në deve).” Ajo tregon: “Pastaj, Ebu Bekri më solli një shërbëtor, i cili më kurseu nga përkujdesja për kalin, gjë e cila m'u duk sikur më liroi prej robërisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5224

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?