Sahihu i Buhariut — Hadithi 5251
1. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “O Pejgamber! Nëse i ndani gratë, ndajini ato para kohës së tyre të pritjes dhe llogaritni kohën e tyre të pritjes..."
Sipas sunetit, shkurorëzimi duhet të bëhet pasi femra të pastrohet nga menstruacionet, ende pa bërë marrëdhënie me të, si dhe bëhet në praninë e dy dëshmitarëve.
5251. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e shkurorëzova gruan sa ishte me menstruacione. Atëherë, Omer ibn Hatabi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj, e në atë rast ai iu përgjigj: “Urdhëroje që ta kthejë gruan dhe le ta mbajë derisa të pastrohet, e pastaj t'i vijnë menstruacionet sërish, pastaj të pastrohet. Pas kësaj, nëse do, le ta mbajë, e, nëse jo, le ta lëshojë pa e prekur (pa bërë marrëdhënie). Pra, ky është afati i pritjes (ideti) në të cilin Allahu ka urdhëruar që të lëshohen gratë.”