Sahihu i Buhariut — Hadithi 5259
4. Nënkapitulli: Ai që i lejon tri shkurorëzime (përnjëherë)
Fjala e Allahut të Madhëruar: “Shkurorëzimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë; (e pastaj) ose të mbahet me arsye, ose të ndahen me të mirë. (Bekare, 229) Ibn Zubejri, në lidhje me të sëmurin (në prag të vdekjes) që e lëshon gruan, ka thënë: "Ajo që është lëshuar tri herë, nuk trashëgon." Ndërkaq, Shabiu ka thënë: "Ajo trashëgon." Ibn Shubrume e pyeti (Shabiun): "A martohet ajo pasi t’i përfundojë ideti (ende pa vdekur burri i sëmurë)?" - Po, - tha ai. - Po nëse (gjatë kësaj kohe) edhe burri i dyti vdes, (si të trashëgojë nga të dy)? - pyeti Shubrume. Atëherë Shabiu u kthye nga mendimi që kishte.
5259. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmir Axhlani vajti tek Asim ibn Adij Ensariu dhe i tha: “O Asim! Çka thua për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë? O Asim pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj.” Asimi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ i urrente pyetjet (për gjërat që ende s'kishin ndodhur) dhe i qortonte, saqë i erdhi rëndë Asimit për atë që e dëgjoi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Pasi Asimi u kthye te familja e tij, i vajti Uvejmiri e i tha: “O Asim, çka të tha i Dërguari i Allahut ﷺ?”
- Ti nuk më erdhe me të mira (pyetje me vend)! I Dërguari i Allahut e urreu pyetjen të cilën e ke parashtruar ti, - tha Asimi.
- Për Allahun, nuk do të ndalem derisa vetë ta pyes për këtë, - tha Uvejmiri, pastaj u kthye derisa arriti tek i Dërguari i Allahut ﷺ në mes të njerëzve dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti shpallje për ty dhe për gruan tënde, andaj shko dhe sille atë.”
Sehli shtoi: “Ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian), kurse unë isha me njerëzit tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pasi e mbaruan, Uvejmiri tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem gënjeshtar ndaj saj.” Kështu, e lëshoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ibn Shihabi tha: “E tillë mbeti tradita e bashkëshortëve që mallkohen mes vete.”