Sahihu i Buhariut — Hadithi 5260
4. Nënkapitulli: Ai që i lejon tri shkurorëzime (përnjëherë)
Fjala e Allahut të Madhëruar: “Shkurorëzimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë; (e pastaj) ose të mbahet me arsye, ose të ndahen me të mirë. (Bekare, 229) Ibn Zubejri, në lidhje me të sëmurin (në prag të vdekjes) që e lëshon gruan, ka thënë: "Ajo që është lëshuar tri herë, nuk trashëgon." Ndërkaq, Shabiu ka thënë: "Ajo trashëgon." Ibn Shubrume e pyeti (Shabiun): "A martohet ajo pasi t’i përfundojë ideti (ende pa vdekur burri i sëmurë)?" - Po, - tha ai. - Po nëse (gjatë kësaj kohe) edhe burri i dyti vdes, (si të trashëgojë nga të dy)? - pyeti Shubrume. Atëherë Shabiu u kthye nga mendimi që kishte.
5260. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Rifa Kuredhiut erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Rifai më lëshoi me shkurorëzim përfundimtar (të pakthyeshëm). Pas tij u martova me Abdurrahman ibn Zubejr Kuredhiun, por ai ka (organ) sikurse një cep rrobe (të vogël).” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Dëshiron të kthehesh te Rifai? Jo, pa i shijuar ti marrëdhëniet intime me të (Abdurrahmanin) e ai me ty.”