Sahihu i Buhariut — Hadithi 5271
11. Nënkapitulli: Shkurorëzimi në kulmin e zemërimit, në rastin e detyrimit, kur është i dehur, i çmendur dhe çështja e këtyre dy të fundit. Gabimi e harresa në shkurorëzim dhe në shirk a të ngjashme
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat janë sipas nijetit dhe çdo personi i takon ajo që ka bërë nijet.” Shabiu lexoi: “Mos na merr në përgjegjësi nëse harrojmë apo gabojmë...” (Bekare, 286) Çfarë nuk lejohet t’i miratohet vesveseliut? Pejgamberi ﷺ i tha atij që pranoi zinanë: “A je i çmendur?” Aliu ka thënë: "Hamzai i shpoi devetë e mia në bel. Atëherë, Pejgamberi ﷺ filloi ta qortojë Hamzain, kur ja, ai ishte i dehur, me sy të skuqur dhe tha: "Vallë, mos jeni diçka tjetër përveçse robër të babait tim? Pejgamberi ﷺ e kuptoi se ai ishte i dehur, andaj doli nga aty, e edhe ne dolëm me të. Othmani ka thënë: Të çmendurit dhe të dehurit nuk i llogaritet shkurorëzimi." Ibn Abasi ka thënë: "Të dehurit dhe të detyruarit nuk u lejohet të shkurorëzojnë." Ukbe ibn Amiri ka thënë: "Vesveseliut nuk i lejohet të shkurorëzojë." Atai ka thënë: "Nëse dëshiron të shkurorëzojë, i lejohet të vendosë kushte." Nafiu pyeti: "Po nëse një njeri e shkurorëzon gruan e tij me shkurorëzim përfundimtar, (me kusht) nëse del nga shtëpia?" Ibn Omeri u përgjigj: "Nëse ajo del, atëherë shkurorëzohet përfundimisht prej tij, e, nëse nuk del, nuk llogaritet gjë." Zuhriu ka thënë: "Ai që thotë: "Nëse nuk bëj kështu e ashtu, atëherë gruaja ime është e shkurorëzuar tri herë, - pyetet çka ka dashur të thotë dhe çka ka pasur për qëllim kur është betuar me atë betim. Nëse ai përmend një afat të cilin e ka synuar dhe e ka pasur për qëllim kur është betuar, atëherë kjo i lihet devotshmërisë dhe besnikërisë së tij." Ibrahimi ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Unë nuk kam nevojë për ty, - shikohet sipas nijetit që ka. Shkurorëzimi në çdo popull bëhet sipas gjuhës që ka." Katadja ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Nëse mbetesh shtatzënë, atëherë ti je e shkurorëzuar tri herë, - ky bën marrëdhënie me të vetëm një herë në kohën kur është e pastër, e, nëse mbetet shtatzënë, atëherë ajo shkurorëzohet përfundimisht prej tij." Haseni ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Shko te familja jote, - shikohet sipas nijetit që ka." Ibn Abasi ka thënë: "Shkurorëzimi bëhet nëse ka nevojë për të, kurse lirimi i robit bëhet për të arritur shpërblimin e Allahut." Zuhriu ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Ti nuk je gruaja ime, - kjo shikohet sipas nijetit që ka. Andaj, nëse e ka nijetin ta shkurorëzojë, atëherë bëhet ajo që e ka bërë nijet." Aliu ka thënë: "A e di se lapsi është ngritur (nuk shkruan) për tre persona: për të çmendurin derisa të kthjellohet, për fëmijën derisa të hyjë në moshën madhore dhe për të fjeturin derisa të zgjohet." Aliu ka thënë: "Çdo lloj shkurorëzimi është i lejuar, përveç atij që është budalla."
5271. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, i vajti një pjesëtar i fisit eslem, i cili e thirri e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dikush ka bërë zina”, - aludonte në veten e tij. Por, Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli andej nga u kthye e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dikush ka bërë zina!” Por, prapë Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli andej nga u kthye dhe ia tha të njëjtat fjalë. Por, përsëri Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër.
Pasi ai i doli andej nga u kthye për herë të katërt dhe dëshmoi ndaj vetes katër herë, Pejgamberi ﷺ e thirri e i tha: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, - i tha ai.
Së këndejmi, Pejgamberi ﷺ tha: “Merreni dhe gurëzojeni atë.”
Kjo, se ai ishte i martuar.”