Sahihu i Buhariut — Hadithi 5273
12. Nënkapitulli: Kërkesa e gruas për ndarje dhe mënyra e shkurorëzimit në këtë rast
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... E juve, nuk ju lejohet të merrni asgjë nga ato që iu keni dhuruar, përpos nëse këta të dy frikohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut...” (Bekare, 229) Omeri e lejonte hul’in pa praninë e sundimtarit. Othmani e lejonte hul’in, edhe nëse shpagimi bëhej me më pak se një lidhëse flokësh. Tavusi, në lidhje me ajetin: “... përpos nëse këta të dy frikohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut...”, ka thënë: "Në atë që ua ka obliguar secilit prej tyre në raport me njëri-tjetrin, në mirësjellje dhe në shoqërim. Pra, nuk i ka thënë fjalët e mendjelehtëve: "Nuk i lejohet atij (të marrë shpagim prej saj), vetëm nëse ajo thotë: "Më nuk do të pastrohem nga xhunubllëku (nuk do të bëj marrëdhënie me burrin)."
5273. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ez'her ibn Xhemili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab Thekafiu, e këtij i ka treguar Halidi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Thabit ibn Kajsit vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk kam vërejtje në moralin e as në fenë (e Thabit ibn Kajsit), mirëpo e urrej kufrin (mohimin) në Islam.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “A ia kthen kopshtin e tij?”
- Po, - tha ajo.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua Thabitit: “Merre kopshtin dhe shkurorëzoje atë!”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ky transmetim nuk fuqizohet nga dikush tjetër prej Ibn Abasit.”