Sahihu i Buhariut — Hadithi 5288

20. Nënkapitulli: Nëse idhujtarja apo e krishtera e pranon Islamin, ndërkohë është grua e dhimiut (jomusliman që jeton në shtetin islam) apo e harbiut (ai me të cilin muslimanët janë në luftë)

Ibn Abasi ka thënë: "Nëse e krishtera e pranon Islamin para burrit të saj, qoftë dhe për një orë, ajo i bëhet haram atij." Atai është pyetur: "Nëse një grua që është prej atyre me të cilët muslimanët kanë marrëveshje, e cila e pranon Islamin, e, teksa ajo është në idet (kohë të pritjes), edhe burri i saj e pranon Islamin, a llogaritet grua e tij? - Jo, përveç nëse do ajo, me kurorë dhe me mehër të ri, - tha Atai. Muxhahidi ka thënë: "Nëse ai e pranon Islamin gjatë idetit të saj, atëherë atij i lejohet të martohet me të. Allahu i Madhëruar thotë: “... Ato (muslimanet) nuk u lejohen atyre (idhujtarëve), e as ata (idhujtarët) nuk u lejohen atyre (muslimaneve)...” (Mumtehine, 10) Haseni dhe Katadja, në lidhje me një çift adhurues zjarri që bëhet musliman (përnjëherë), kanë thënë: "Ata mbeten në kurorën e tyre. E, nëse njëri prej tyre bëhet musliman, ndërsa tjetri nuk bëhet, ajo ndahet prej tij dhe tanimë ajo nuk i lejohet." Ibn Xhurejxhi ka thënë: "E pyeta Atain: "Nëse një grua idhujtare vjen te muslimanët, a i jepet shpagim burrit të saj për të, sepse Allahu thotë: “Jepuni atyre (idhujtarëve) atë që e shpenzuan (për to)...” (Mumtehine, 10) - Jo. Kjo ishte vetëm mes Pejgamberit ﷺ dhe atyre që kishte marrëveshje me ta, - tha Atai. Muxhahidi ka thënë: "Tërë kjo ishte në marrëveshjen që Pejgamberi ﷺ kishte me kurejshët."

5288. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. [t]: Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se besimtaret që bënin hixhret, Pejgamberi ﷺ i provonte me këtë fjalët e Allahut: “O ju që besuat, kur t'ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekës), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse Allahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë, mos i ktheni ato te jobesimtarët, pse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to, e ju jepuni atyre (jobesimtarëve) atë që kanë shpenzuar për to (në emër të kororëzimit). Ju nuk keni pengesë të martoheni me to, pasi t'ua jepni vlerën e kurorës. Mos i mbani nën kurorë idhujtaret, por kërkoni (prej idhujtarëve mekas) atë që keni shpenzuar për to, dhe ata le të kërkojnë (prej jush besimtarë) atë që kanë shpenzuar. Këto janë dispozita të Allahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; Allahu është Dijeplotë, Urtiplotë.” (Mumtehine, 10) Ajo besimtare që e pranonte këtë kusht, tanimë e kishte pranuar provën. E, nëse ato e pranonin këtë me fjalët e tyre, i Dërguari i Allahut ﷺ u thoshte: “Shkoni, sepse e pranova besën tuaj.” Betohem në Allahun se dora e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk e ka prekur kurrë dorën e ndonjë femre (të huaj), mirëpo ai ua merrte besën vetëm nëpërmjet fjalëve. Për Allah, ajo që i Dërguari i Allahut ﷺ ka kërkuar nga gratë ishte thjesht ajo me të cilën e ka urdhëruar Allahu. Ai gjatë besatimit u thoshte atyre: “Jua dhashë besën.” Pra, vetëm fjalë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5288

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?