Sahihu i Buhariut — Hadithi 5292

22. Nënkapitulli: Dispozita e të humburit, për familjen dhe pasurinë e tij

Ibn Musejebi ka thënë: "Nëse ka humbur në vijë të luftës, atëherë gruaja e tij e pret një vit. Ibn Mesudi bleu një robëreshë dhe e kërkoi pronarin e saj një vit, porse nuk e gjeti atë. Ai kishte humbur, andaj Ibn Mesudi jepte një ose dy dërhemë dhe thoshte: "O Allahu im, për filanin, e, nëse vjen filani, atëherë për mua (robëresha) dhe mbi mua (pagesa). Po ashtu thoshte: "Kështu veproni me gjërat e gjetura." Ibn Abasi thoshte ngjashëm. Zuhriu, në lidhje me atë që është zënë rob dhe i dihet vendi, thoshte: "Gruaja e tij nuk bën të martohet dhe pasuria e tij nuk bën të ndahet, e, nëse ndërpriten lajmet për të, atëherë me të veprohet sikurse me të humburin."

5292. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Jahja ibn Seidi se Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u pyet për delen e humbur, u përgjigj: “Merre, sepse ja e merr ti, ja vëllai yt, ja i mbetet ujkut.” Ndërkaq, kur u pyet për devenë e humbur, u zemërua, saqë iu skuqën mollëzat dhe tha: “Ç'ke ti me të, kur ajo i ka me vete shputat dhe rezervarin me ujë, pi ujë dhe kullot pemë, derisa ta gjejë pronari i vet.” E, kur është pyetur për gjënë e humbur, ka thënë: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit rresht. Nëse pronari paraqitet (jepja), përndryshe përzije me pasurinë tënde.”

Sufjani ka thënë: “E takova Rebia ibn Ebu Abdurrahmanin, porse prej tij nuk mbaj në mend diçka tjetër pos kësaj; andaj thashë: “E ke parasysh hadithin e Jezidit, të çrobëruarit të Munbeithit, në lidhje me kafshën e humbur, a është prej Jezid ibn Halidit?” Tha: “Po.” Jahjai ka thënë: “Rebia transmeton nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, e ky nga Zejd ibn Halidi.” Sufjani ka thënë: “Ndërkohë e takova Rabian dhe ia transmetova.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5292

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?