Sahihu i Buhariut — Hadithi 5294
24. Nënkapitulli: Të bërët me shenjë për shkurorëzim a për çështje të tjera
Ibn Omeri tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk dënon për lotin e syrit, por dënon për këtë”, - bëri me shenjë nga gjuha e tij. Kab ibn Maliku tregon: "Pejgamberi ﷺ ma bëri me shenjë, domethënë: “Merre gjysmën.” Esma tregon: "Kur Pejgamberi ﷺ e fali namazin e eklipsit të diellit, unë i thashë Aishes: "Çfarë kanë njerëzit?" Ajo bëri me shenjë me kokë nga dielli. E pyeta: "Diçka e jashtëzakonshme?" Ajo pohoi me kokë, duke qenë në namaz, që domethënë: "Po." Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë Ebu Bekrit, që të prijë (për namaz)." Ibn Abasi tregon: "Pejgamberi ﷺ bëri me shenjë me dorë: “S’ka gjë.” Ebu Katadja tregon: "Pejgamberi ﷺ, në lidhje me gjahun e muhrimit, ka thënë: “Vallë, mos ndokush prej jush e ka urdhëruar që ta gjuajë apo i ka bërë me shenjë drejt saj?” - Jo, - i thanë. - “Hajeni, pra”, - tha ai.
5294. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Seleme ibn Alkame nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “Ditën e premte, gjendet një kohë që, nëse robi musliman i qëllon duke falur namaz dhe duke i kërkuar ndonjë të mirë Allahut, Ai ia jep” - bëri shenjë me dorë, duke vendosur majën e gishtit të madh në anën e brendshme të gishtit të mesëm dhe atij të vogël. Ne thamë: “Aludon se ajo kohë është e shkurtër.”