Sahihu i Buhariut — Hadithi 5297
24. Nënkapitulli: Të bërët me shenjë për shkurorëzim a për çështje të tjera
Ibn Omeri tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk dënon për lotin e syrit, por dënon për këtë”, - bëri me shenjë nga gjuha e tij. Kab ibn Maliku tregon: "Pejgamberi ﷺ ma bëri me shenjë, domethënë: “Merre gjysmën.” Esma tregon: "Kur Pejgamberi ﷺ e fali namazin e eklipsit të diellit, unë i thashë Aishes: "Çfarë kanë njerëzit?" Ajo bëri me shenjë me kokë nga dielli. E pyeta: "Diçka e jashtëzakonshme?" Ajo pohoi me kokë, duke qenë në namaz, që domethënë: "Po." Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë Ebu Bekrit, që të prijë (për namaz)." Ibn Abasi tregon: "Pejgamberi ﷺ bëri me shenjë me dorë: “S’ka gjë.” Ebu Katadja tregon: "Pejgamberi ﷺ, në lidhje me gjahun e muhrimit, ka thënë: “Vallë, mos ndokush prej jush e ka urdhëruar që ta gjuajë apo i ka bërë me shenjë drejt saj?” - Jo, - i thanë. - “Hajeni, pra”, - tha ai.
5297. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi nga Ebu Is'hak Shejbaniu se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim, e, kur perëndoi dielli, njërit prej nesh i tha: “Zbrit dhe më përgatit qull (për iftar).”
- O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej!
- “Zbrit dhe na përgatit qull!”
- O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej! Dita ende s'ka mbaruar.
- “Zbrit dhe na përgatit qull!”
E, kur i tha për së treti, ai zbriti, i përgatiti pak qull dhe Pejgamberi ﷺ e piu. Pastaj bëri me dorë nga lindja dhe tha: “Kur ta shihni natën se vjen prej andej, atëherë agjëruesi bën iftar.”