Sahihu i Buhariut — Hadithi 5300
25. Nënkapitulli: Liani
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ndërsa ata të cilët fajësojnë bashkëshortet e veta, por që nuk kanë dëshmitarë tjetër, përveç vetes, dëshminë e vet, se me të vërtetë janë të drejtë, do të vërtetojnë duke u betuar katër herë në Allahun.” (Nur, 6) Nëse memeci e akuzon gruan e tij (për zina) me shkrim, me shenjë a me gjest të njohur, llogaritet sikurse të flasë, sepse Pejgamberi ﷺ e lejoi të bërët me shenjë në adhurimet që janë obligim. Ky është mendimi i disa dijetarëve të Hixhazit dhe i disa të tjerëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë ajo u bëri me shenjë nga (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që është foshnjë në djep?” (Merjem, 29) Dahaku ka thënë: “... veçse me gjeste…” (Ali Imran, 41) Domethënë, me shenjë. Disa kanë thënë: "Nuk ka ekzekutim e as mallkim (me shenjë), ndërkohë pretendojnë se shkurorëzimi me shkrim ose me shenjë ose me gjeste është i lejuar! (Si qëndron kjo) kur nuk ka dallim mes shkurorëzimit dhe akuzimit (për zina, rrjedhimisht mallkimit mes tyre)." Nëse thotë: "Akuzimi bëhet vetëm me fjalë, - atij i thuhet: "Atëherë, edhe shkurorëzimi lejohet vetëm me fjalë. Në të kundërtën, nuk vlen as shkurorëzimi, as akuzimi. Kjo vlen edhe për lirimin e robit, e kështu edhe i shurdhri mallkon (gruan e tij, në rast akuzimi për zina). Shabiu dhe Katadja kanë thënë: "Nëse i thotë se ti je e shkurorëzuar, duke bërë me shenjë me gishtin e tij, atëherë ajo ndahet prej tij me këtë shenjë." Ibrahimi ka thënë: "Nëse memeci e shkruan shkurorëzimin me dorën e tij, ajo i obligohet." Hamadi ka thënë: "Nëse memeci dhe i shurdhri bëjnë me shenjë me kokë, është legjitime."
5300. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jahja ibn Seid Ensariu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A t'ju tregoj për familjet më të mira të ensarëve?”
- Po, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigjën ata.
- “Benu nexharët, pas tyre vijnë benu abduleshhelët, pastaj benu Harith ibn Hazrexhi dhe pastaj benu saidët”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Më pas, bëri me shenjë duke i mbledhur gishtat e tij, pastaj i shtriu sikurse të gjuante me dorë dhe tha: “Ndonëse në çdo familje ensare ka mirësi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5300
Fjalë të panjohura?