Sahihu i Buhariut — Hadithi 5345
50. Nënkapitulli: “Ata që vdesin e lënë gra, gratë e tyre duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë (pas vdekjes së burrit). Pas kalimit (skadimit) të këtij afati, sipas dispozitave të fesë, ju nuk jeni përgjegjës për veprat dhe fatin e tyre, - se Allahu i di mirë ato që punoni ju.”
5345. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Amër ibn Hazmi, e këtij i ka treguar Humejd ibn Nafiu se Zejnebe bint Ebu Seleme tregon: “Kur Umu Habibes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i erdhi lajmi i vdekjes së babait të saj, kërkoi një parfum me të cilin i parfumoi parakrahët e saj dhe tha: “Unë nuk kam nevojë për parfum, por e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç bashkëshortit, për të cilin mban zi katër muaj e dhjetë ditë.”