Sahihu i Buhariut — Hadithi 5350

53. Nënkapitulli: Mut’a (dhurata) që i takon gruas së cilës nuk i është caktuar mehri (dhe shkurorëzohet para dhëndërisë)

Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të caktoni shumën e dhuratës martesore (që do t’u jepni). Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira. Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës, përveç nëse ua falin ato ose ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës. Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni.” (Bekare, 236-237) Po ashtu, Fjala e Tij: “Grave të ndara u takon sigurimi i caktuar i shpenzimeve të jetesës. Kjo është detyrë e besimtarëve. Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Veta, në mënyrë që të kuptoni.” (Bekare, 241-242)

5350. Nga: Abdullah ibn Omeri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Amri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ dy bashkëshortëve që u mallkuan mes vete u tha: “Llogaria juaj është tek Allahu, ndërsa njëri prej jush është gënjeshtar. (Kurse burrit i tha:) Nuk mund të vazhdosh me të.” Atëherë, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, po pasuria ime (mehri)?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ty nuk të takon asgjë. Nëse i ke dhënë mehër, ai është për faktin se të është lejuar marrëdhënia me të, e, nëse ke gënjyer për të, atëherë ajo (pasuria) është edhe më larg teje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5350

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?