Sahihu i Buhariut — Hadithi 5372
16. Nënkapitulli: Gjidhënia nga robëreshat ose nga të huajat
5372. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme se Gruaja e Pejgamberit ﷺ, Umu Habibja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, merre edhe motrën time për grua, të bijën e Ebu Sufjanit!”
- “Vërtet të pëlqen kjo gjë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, sepse, sido që të jetë, unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj ajo që më së shumti do të kisha dëshirë të më shoqëronte në mirësi është motra ime, - i thashë unë.
- “Kjo nuk më lejohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Për Allah, ne po dëgjojmë se dëshiron të martohesh me Duranë, të bijën e Ebu Selemes? - i thashë.
- “Të bijën e Umu Selemes?” - pyeti.
- Po, - i thashë.
Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Andaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja!”
Urve thotë: “Thuvejbja ishte robëresha që e kishte liruar Ebu Lehebi.”