Sahihu i Buhariut — Hadithi 5391

10. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk i hante disa prej ushqimeve derisa t’i tregohej se çfarë ishin

5391. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Umame ibn Sehël ibn Hanif Ensariu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Halid ibn Velidi, i cili quhej Shpata e Allahut, i ka treguar se ai bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ kishin hyrë te Mejmunia, e cila ishte tezja e tij dhe tezja e Ibn Abasit. Në atë rast, motra e saj, Hufejda bint Harithi, nga Nexhdi, u shkoi me një dab të pjekur, pastaj ia ofroi atë të Dërguarit të Allahut ﷺ. Rrallëherë ndodhte që Pejgamberi ﷺ të zgjaste dorën e tij nga ushqimi e të mos i tregonin se çfarë ishte dhe si quhej ushqimi në fjalë. Andaj, kur ai ﷺ lëvizi dorën drejt dabit, një grua prej atyre që ishin të pranishme, tha: “Tregojini të Dërguarit të Allahut ﷺ çfarë i keni shërbyer! Ai është dab, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari i Allahut ﷺ e largoi dorën nga dabi.” Halid ibn Velidi tha: “A është haram dabi, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Jo, ama nuk e kemi ngrënë ndonjëherë në viset tona (në fisin tim), kështu që neveritem prej tij.”
Halidi thotë: “Unë pastaj e tërhoqa dhe e hëngra, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ më shikonte.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5391

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?