Sahihu i Buhariut — Hadithi 5588
5. Nënkapitulli: Transmetimet që shpjegojnë se alkool konsiderohet ajo pije që deh mendjen
5588. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Jahja nga Ebu Hajan Tejmiu, e ky nga Shabiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Omeri ligjëroi prej minberit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe tha: “Kur zbriti ndalesa për alkoolin, përfshinte pesë lloje:
1. Rrushin,
2. Hurmat,
3. Grurin,
4. Elbin dhe
5. Mjaltin.
Alkool konsiderohet çdo gjë që merr mendjen. Do të dëshiroja që i Dërguari i Allahut ﷺ të mos ndahej prej nesh pa na i sqaruar tri gjëra:
1. (Trashëgiminë) e gjyshit,
2. Kelalen (trashëgiminë e atij që s'ka lënë as prindër, as fëmijë) dhe,
3. Disa kapituj të kamatës.”
Transmetuesi (Ebu Hajani) e pyeti Shabiun: “O Ebu Amër, ç'është diçka që bëhet me oriz në Sind (emër vendi në Indi)?”
- Kjo nuk ekzistonte në kohën e Pejgamberit ﷺ, - ose ka thënë: - ... në kohën e Omerit.
Haxhaxhi transmeton nga Hamadi, e ky nga Ebu Hajani se në vend të rrushit, përmendet rrushi i thatë.”