Sahihu i Buhariut — Hadithi 5668

16. Nënkapitulli: Të sëmurit i lejohet të thotë: "Jam i sëmurë!", ose: "Oh, koka ime!", ose: "Kam dhimbje të madhe!"

Fjala e Ejubit ﷺ: “... Mua, më ka goditur vështirësia, e Ti je më i Mëshirshmi prej mëshiruesve!” (Enbija, 83)

5668. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Abdullah ibn Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Zuhriu nga Amir ibn Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi të më vizitojë në vitin e Haxhit Lamtumirës, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që kisha, e në atë rast i thashë: “Më ka goditur një sëmundje e rëndë (prej së cilës ndoshta edhe do të vdes), siç po e sheh. Unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?”
- “Jo”, - tha ai.
- A të jap lëmoshë gjysmën? - e pyeta.
- “Jo.”
- Po një të tretën?
- “Një të tretën, madje edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë (të varfër) e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5668

Fjalë të panjohura?