Sahihu i Buhariut — Hadithi 5677

22. Nënkapitulli: Ai që lutet për largimin e epidemisë dhe gripit

5677. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi (në Medinë), Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Unë shkova tek ata dhe i pyeta: “O babai im, si je? O Bilal, si je?” Kur Ebu Bekrin e kapte zjarrmia, thoshte:

"Çdo njeri gdhihet në familjen e vet,

E më afër se lidhësen e këpucës ka vdekjen që e pret.”

Ndërkaq, kur Bilalit i kalonte pakëz zjarrmia, e ngrinte zërin duke thënë:

"Sikur të mund të kaloja një natë të vetme në një luginë,

I rrethuar me idhhir e xhelil!

A do të vijë dita kur do të mund të pi ujë në mixhene,

Dhe a do të shoh më kodrinat Shameh e Tafil?”

Aishja shton: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova për këtë, i cili në atë rast më tha: “O Allah, na e bëj të dashur Medinën ashtu siç e donim Mekën, ose më shumë, dhe bëje atë të shëndetshme për ne! O Allah, na begato në sain dhe mudin e saj! Ndërkaq, zjarrminë e saj dërgoji në Xhuhfe!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5677

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?