Sahihu i Buhariut — Hadithi 5810

18. Nënkapitulli: Cibuni, pelerina dhe guna

Hababi tregon: "Ne iu ankuam Pejgamberit ﷺ teksa ishte shtrirë mbi një cibun."

5810. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon:
- Një grua solli një pelerinë. E dini ç'është pelerina?
- Po, petk i gjatë i qëndisur në skaje, - iu përgjigjën të pranishmit.
Pastaj vazhdoi: “Gruaja në fjalë i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, e kam thurur me dorën time dhe ta kam sjellë që ta veshësh.”
I Dërguari i Allahut ﷺ e mori ngaqë kishte nevojë për të. Kur doli ndër ne, ndërkohë e kishte mbështjellë si rrobë të poshtme, njëri prej të pranishmëve e preku me dorë dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, mund të ma japësh?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pejgamberi ﷺ, pasi qëndroi aty aq sa deshi Allahu, shkoi ta palosë dhe ia dërgoi këtij personi pelerinën në fjalë.

Njerëzit i thanë: “Nuk bëre mirë që ia kërkove! Ti e dije se ai nuk refuzon askënd që i kërkon diçka!”
Ai tha: “Betohem në Allahun se nuk ia kërkova për diçka tjetër përveçse për të qenë qefini im, ditën kur të vdes.”
Sehli tha: “Dhe, ashtu ndodhi, ajo i shërbeu si qefin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5810

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?