Sahihu i Buhariut — Hadithi 5994
18. Nënkapitulli: Mëshirimi, puthja dhe përqafimi i fëmijës
Enesi thotë: "Pejgamberi ﷺ e përqafoi Ibrahimin, e puthi dhe i mori erë."
5994. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Mehdiu, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Jakubi se Ibn Ebu Numiu tregon: “Isha i pranishëm kur dikush e pyeti Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në lidhje me gjakun e mushkonjës.” Abdullahu e pyeti:
- Prej nga je ti?
- Jam banor i Irakut, - ia ktheu ai.
- Pa shikoni këtë! Më pyet për gjakun e mushkonjës, ndërkohë pikërisht ata e kanë mbytur djalin e (vajzës së) të Dërguarit të Allahut ﷺ! Ndërkaq, unë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ (për Hasenin dhe Husejnin) duke thënë: “Ata dy janë borzilokët e mi të kësaj bote”, - tha Abdullahu.”