60. Rrëfimet e pejgamberëve
1. Nënkapitulli: Krijimi i Ademit dhe pasardhësve të tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që vazhdon dhe zhvillohet deri në fund.” (Araf, 189) “Allahu ka thënë: "Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” (Araf, 12) “Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë.” (Bekare, 30) “Për çdo njeri ka mbikëqyrës.” (Tarik, 4) “Ne e kemi krijuar njeriun në vështirësi!” (Beled, 4) “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si dhe zbukurime...” (Araf, 26) “A e keni parë farën që e hidhni?” (Vakia, 58) “Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm për ta kthyer (në jetë) atë.” (Tarik, 8) “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët.” (Tin, 4-5) “Me të vërtetë, njeriu është në humbje (devijim).” (Asër, 2) “Pyeti (o Muhamed) ata (mekas jobesimtarë): "A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar prej baltës ngjitëse.” (Safat, 11) “Që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).” (Vakia, 61) “Ata (melekët) thanë: "A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” (Bekare, 30) “Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin...” (Bekare, 36) “... Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk kanë ndryshuar fare!...” (Bekare, 259) “Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar...” (Muhamed, 15) “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit...” (Araf, 22) “Allahu tha: "Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar.” (Araf, 24) “... Ai dhe gjenerata e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata...” (Araf, 27) Ebu Alije, për ajetin: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij...”, (Bekare, 37) ka thënë: "Ato fjalë janë: “Ata thanë: "O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (Araf, 23)
3326. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu e krijoi Ademin, e bëri gjashtëdhjetë kute të gjatë. Pastaj i tha: “Shko jepu selam atyre melekëve dhe dëgjoje përshëndetjen e tyre, e cila do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.” Ai u tha: “Eselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju)!” Ata ia kthyen: “Eselamu alejke ve rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty)!” Pra, i shtuan fjalët: “dhe mëshira e Allahut”. Çdokush që do të hyjë në Xhenet, do të jetë në formën e Ademit. Ndërkaq, që atëherë njerëzit vinin duke u zvogëluar, deri më sot.”
3327. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Grupi i parë që do të hyjnë në Xhenet do të kenë pamjen e hënës së plotë, ndërsa të tjerët pas tyre sikurse ylli më i shndritshëm në qiell. Aty as urinojnë, as kryejnë nevoja fiziologjike, as pështyjnë e as u rrjedhin hundët. Krehrit i kanë të artë, djersët e tyre janë prej myshku, ndërsa materiali i parfumit të tyre është bima e aloesë. Gratë e tyre janë hyritë sybukura. Të gjithë do të kenë formën e njëjtë, formën e babait të tyre, Ademit, të gjatë gjashtëdhjetë kute.”
3328. Nga: Umu Seleme
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Umu Sulejmi i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk turpërohet nga e vërteta: (andaj) nëse femra ejakulon në gjumë, a i obligohet gusli?” Pejgamberi ﷺ tha: “Po, nëse sheh se është lagur.” Atëherë, Umu Seleme qeshi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! A edhe gruaja ejakuluaka?” Pejgamberi ﷺ i tha: “E si do t'i ngjante fëmija asaj?”
3329. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Fezariu, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdullah ibn Selamit i arriti lajmi për shpërnguljen e të Dërguarit të Allahut ﷺ në Medinë, erdhi dhe i tha: “Dua të të pyes për tri gjëra, të cilat i di vetëm një pejgamber.” Pastaj vazhdoi: “Cila është shenja e parë e shenjave të Kiametit? Cili është ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit? Si i ngjason fëmija babait dhe si u ngjason dajallarëve?”
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Xhibrili më lajmëroi pak më parë për këtë.” Abdullahu tha: “Ai është armiku i hebrenjve nga radhët e melekëve.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shenja e parë prej shenjave të Kiametit është një zjarr, që do t'i tubojë njerëzit nga lindja në perëndim. Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës. Ndërkaq, sa i përket ngjasimit te fëmija, kur burri bën marrëdhënie me gruan dhe sperma e tij ia parakalon spermës së saj, fëmija i ngjason burrit, në të kundërtën, i ngjason gruas.” Abdullahu tha: “Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut.” Pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë janë popull shpifës. Nëse marrin vesh për konvertimin tim në Islam para se t'i pyesësh, ata do të shpifin ndaj meje.” Kur hebrenjtë erdhën, Abdullahu hyri brenda dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë burri është Abdullah ibn Selami në mesin tuaj?” Ata thanë: “Më i dituri dhe i biri i më të diturit ndër ne, si dhe më i miri dhe i biri i më të mirit ndër ne.” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë nëse Abdullahu do ta pranonte Islamin?” Ata thanë: “Allahu e ruajttë nga kjo gjë!” Atëherë Abdullahu doli para tyre dhe tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ata thanë: “Ai është më i keqi dhe i biri i më të keqit ndër ne”, - dhe filluan ta ofendojnë në nderin e tij.”
3330. Nga: Ebu Hurejra
Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishin benu israilët, mishi nuk do të prishej asnjëherë dhe, sikur të mos ishte Havaja, asnjë grua nuk do ta nxiste burrin e saj për të keq.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3330
Fjalë të panjohura?
3331. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Kurejbi dhe Musa ibn Hazimi na kanë thënë: Na ka treguar Husejn ibn Aliu, e ky nga Zaide, e ky nga Mejsera Eshxhaiu, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju porosis të silleni mirë me gratë, sepse ato janë të krijuara prej brinjës. Ndërkaq, pjesa më e lakuar në brinjë është maja e saj. Nëse tenton ta drejtosh, do ta thyesh, e, nëse e lë, do të vazhdojë si e lakuar. Prandaj, silluni mirë me to.”
3332. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vehbiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, i sinqerti që i është thënë e vërteta, ka thënë: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në copë të varur gjaku, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, Allahu dërgon një melek, të cilit i urdhërohen katër gjëra, e në atë rast personit i shkruhet: vepra, jetëgjatësia, furnizimi dhe nëse do të jetë fatzi apo i lumtur (në botën tjetër). Më pas, i fryhet shpirti në të. Ndodh që ndokush të punojë vepra të banorëve të Zjarrit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Zjarrit më shumë se një kut, por libri ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Xhenetit dhe futet në të. Po ashtu, ndodh që njeriu të punojë vepra të banorëve të Xhenetit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Xhenetit më shumë se një kut, por libri i tij ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në të.”
3333. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ﷻ ia ka obliguar një meleku përkujdesjen ndaj mitrës (fazave të krijimit të njeriut në barkun e nënës) dhe të thotë (për secilën fazë): “O Zoti im, embrion! O Zoti im, gjak i ngjizur! O Zoti im, copë mishi!”
E, kur të vijë koha për ta kompletuar krijimin e tij, thotë: “O Zoti im, mashkull apo femër? O Zoti im, fatzi apo i lumtur? Sa rrizk e sa jetëgjatësi?” Pra, këto i shkruhen duke qenë në barkun e nënës.”
3334. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Imran Xhevniu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ia atribuuar këtë fjalë Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “Allahu, të dënuarit me dënimin më të lehtë në Xhehenem, do t'i thotë: “Sikur të posedoje gjithçka në Tokë, a do ta flijoje për të shpëtuar nga kjo?”
- Po, - përgjigjet ai.
Atëherë Allahu ia kthen: “Teksa ishe në shpinën e Ademit, të kërkova diçka edhe më të lehtë se kjo: të mos më bëje ortak. Por, ti nuk doje ndryshe, përveçse të më bëje ortak.”
3335. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa herë që dikush vritet padrejtësisht, i biri i parë i Ademit do të ketë hise në atë gjak, sepse ai ishte i pari që filloi vrasjen.”
2. Nënkapitulli: Shpirtrat janë sikurse një ushtri e ndarë nëpër divizione
3336. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Lejthiu transmeton nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpirtrat janë sikurse një ushtri e ndarë nëpër divizione: kur njihen mes vete, afrohen, e, kur nuk njihen, largohen.”
Jahja ibn Ejubi ka thënë: “Këtë ma ka treguar Jahja ibn Seidi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3336
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ne dërguam Nuhun te popullit i tij...”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare...” (Hud, 27) “Më pas, një zë thirri: "O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)! Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin Xhudij dhe u tha: "Larguar qofshin keqbërësit (nga mëshira e Allahut)!” (Hud, 44) “Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës...” (Hud, 40) “Ashtu siç ka qenë për popullin e Nuhut, për fiset ad e themud dhe për breznitë pas tyre...” (Gafir, 31) “Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: "O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju rikujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm në Allahun! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë! Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nënshtrohen (Atij).” (Junus, 71-72) “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: "Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!”, (Nuh, 1) e deri në fund të sures.
3337. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit ndër njerëz, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon, pastaj e përmendi Dexhallin dhe tha: “Po jua tërheq vërejtjen prej tij. Nuk ka pejgamber që nuk ia ka tërhequr vërejtjen popullit të vet prej tij, edhe Nuhu ua ka tërhequr vërejtjen popullit të vet për këtë. Por, unë do t'ju tregoj për të diçka që asnjë pejgamber nuk i ka treguar popullit të vet: dijeni se ai është i verbër në njërin sy, ndërsa Allahu nuk është i verbër.”
3338. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A doni t'ju tregoj për Dexhallin diçka që asnjë pejgamber nuk i ka treguar popullit të vet? Ai është i verbër në njërin sy dhe ka me vete diçka që i ngjason Xhenetit dhe Zjarrit. Ajo, për të cilën thotë se është Xheneti, në realitet është Zjarri. Po jua tërheq vërejtjen për të (Dexhallin) ashtu siç pati bërë Nuhu me popullin e vet.”
3339. Nga: Ebu Seid Hudriu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Zijadi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “(Ditën e Kiametit) Nuhu do të vijë me umetin e tij dhe Allahu do t'i thotë: “A ua ke kumtuar (shpalljen)?” Nuhu thotë: “Po, o Zot.” Pastaj i drejtohet umetit të tij: “A jua ka kumtuar?” Ata thonë: “Jo, nuk na ka ardhur asnjë pejgamber.” Allahu i thotë Nuhut: “A ka kush dëshmon për ty?” Ai thotë: “Muhamedi ﷺ dhe umeti i tij.” Kështu, umeti im dëshmon se ai e ka kumtuar shpalljen, gjë në të cilën aludon ajeti: “Kështu, Ne ju kemi bërë popull mesatar, që të bëheni dëshmitarë për njerëzit...” (Bekare, 143) Mesatar do të thotë i drejtë.
3340. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ubejdi, e këtij i ka treguar Ebu Hajani, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ ishim në një gosti, ku i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. E mori dhe e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. A e dini ndodhinë kur Allahu do t'i tubojë të parët dhe të fundit në një vend, saqë syri mund t'i shohë të gjithë dhe zëri i thirrësit i arrin çdonjërit? Dielli do t'u afrohet e njerëzit do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po shihni se në çfarë gjendjeje jeni e deri ku keni ardhur? Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj?” Disa thonë: "(Shkoni te) babai juaj, Ademi.” Shkojnë tek ai dhe i thonë: “O Adem, ti je babai i njerëzve, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe ta ka fryrë shpirtin me Frymën e Tij. Melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde para teje dhe të ka vendosur në Xhenet. Vallë, a mund të ndërmjetësosh te Zoti yt? A nuk sheh në çfarë gjendje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i pata bërë mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!”
Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë në Tokë dhe Allahu të ka emërtuar rob falënderues, a nuk e sheh se në çfarë halli kemi mbetur? A nuk e sheh çfarë na ka gjetur? Vallë, a mund të ndërmjetësosh te Zoti yt për ne?” Ai u thotë: “Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu. Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te Pejgamberi ﷺ!” Kështu, kur vijnë tek unë, unë bëj sexhde nën Arsh. Më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën dhe ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi. Kërko, që të të jepet.”
Muhamed ibn Ubejde ka thënë: “Nuk e kujtoj pjesën tjetër të hadithit.”
3341. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Naser ibn Ali ibn Nasri na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Ahmedi, e ky nga Sufjani, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Esved ibn Jezidi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, ajetin: “... prandaj, a ka ndonjë që të marrë mësim?”,1 (Kamer, 15) e ka lexuar me lexim të zakonshëm.
4. Nënkapitulli: Ajeti: “Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve. Ai i tha popullit të vet: "A nuk po i frikësoheni Allahut?! Vallë, a i luteni ju Ba‘lit ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë, Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?! Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit), përveç robërve të sinqertë të Allahut. Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm.”
Ibn Abasi ka thënë: "Ai (Iljasi) përmendet për të mirë (në brezat e mëvonshëm), me fjalët: “Paqja qoftë mbi Iljasin! Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët! Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Safat, 130-132) Përmendet se Ibn Mesudi dhe Ibn Abasi kanë thënë se Iljasi është vet Idrisi ﷺ.
5. Nënkapitulli: Përmendja e Idrisit ﷺ dhe se ai ka qenë gjyshi i babait të Nuhut, apo, gjyshi i Nuhut ﷺ
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.” (Merjem, 57)
3342. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu. [t]: Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Dherri transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një natë, teksa isha në Mekë, u hap çatia e shtëpisë dhe zbriti Xhibrili, i cili ma hapi gjoksin dhe ma pastroi me ujë Zemzemi. Pastaj, solli një enë prej ari, të mbushur me urtësi e besim, dhe ma derdhi në gjoks e ma mbylli (gjoksin). Më pas, më kapi për dore dhe më ngriti në qiell. Me të arritur te qielli i dynjasë, Xhibrili i tha rojës së qiellit:
- Hape.
- Kush është? - pyeti roja.
- Xhibrili.
- A është ndokush me ty? - pyeti roja.
- Me mua është Muhamedi ﷺ, - ia ktheu Xhibrili.
- A i ka zbritur shpallja? - pyeti roja.
- Po, andaj hape (derën) - tha Xhibrili.
Me të hipur mbi qiellin e dynjasë, kur ja, një burrë, anash të cilit ndodheshin turma njerëzish. Sa herë që shikonte në të djathtë, qeshte; sa herë që shikonte në të majtë, qante. Kur më pa, më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe bir i mirë!”
E pyeta Xhibrilin:
- Kush është ky?
- Ademi. Ndërkaq, këto turma në të djathtë dhe në të majtë janë pasardhësit e tij. Këta nga e djathta janë banorët e Xhenetit, kurse turma në të majtë janë banorët e Zjarrit. Sa herë që shikon në të djathtë, qesh; sa herë që shikon në të majtë, qan, - tha ai.
Pastaj, Xhibrili vazhdoi të udhëtojë lart, derisa arritëm te qielli i dytë. (Xhibrili) i tha rojës së qiellit: “Hape.” Edhe ky e pyeti sikurse i pari, pastaj e hapi derën.”
Enesi thotë: “Pastaj Pejgamberi ﷺ tregoi se i ka parë nëpër qiej Idrisin, Musain, Isain dhe Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi ta! Ndërkaq, Ebu Dherri, në transmetimin e tij, nuk përmend vendqëndrimet e tyre, përveç për Ademin, për të cilin ka thënë se është në qiellin e dynjasë, si dhe për Ibrahimin, në qiellin e gjashtë.
Enesi vazhdon: “E, kur Xhibrili (dhe Pejgamberi ﷺ) kaloi tek Idrisi ﷺ, ai i tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!”
Pejgamberi ﷺ thotë: “E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Idrisi.” Pastaj kaluam te Musai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!” Pyeta: “Po ky, kush është?”
- Ky është Musai, - më tha Xhibrili.
Pastaj kaluam tek Isai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!”
E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Isai.”
Pastaj kaluam tek Ibrahimi ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe bir i mirë!”
Pyeta: “E ky, kush është?”
Xhibrili më tha: “Ky është Ibrahimi ﷺ.”
Ibn Hazmi më ka rrëfyer nga Ibn Abasi dhe Ebu Haje Ensariu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj jam ngritur derisa kam arritur në një lartësi ku dëgjoja edhe fëshfërimën e lapsave (që shkruajnë caktimet vjetore nga Pllaka e Ruajtur).”
Ibn Hazmi dhe Enes ibn Maliku kanë thënë (pastaj): “Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu ia obligoi umetit tim pesëdhjetë namaze. U ktheva me këtë urdhër, por, duke kaluar pranë Musait, më pyeti:
- Çfarë i obligoi Allahu umetit tënd?
- I obligoi pesëdhjetë namaze, - i thashë.
- Kthehu te Zoti yt (dhe kërko lehtësim), sepse umeti yt nuk mund ta përballojë këtë, - më tha ai.
U ktheva dhe kërkova lehtësim, kurse Allahu ﷻ e përgjysmoi numrin e tyre.
U ktheva te Musai, por ai prapë më tha: “Kthehu dhe kërko sërish të ta lehtësojë”, - dhe e përmendi rastin e njëjtë. - Allahu sërish e hoqi gjysmën e tyre.
Kur u ktheva te Musai, më tha: “Kthehu, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë.”
U ktheva sërish dhe kërkova të ma lehtësojë. Atëherë, Allahu ﷻ tha: “Ato janë pesë (për t'u kryer), por janë pesëdhjetë (për t'u shpërblyer). Tek Unë fjalët nuk ndryshojnë.”
Pasi u ktheva, Musai më tha: “Kthehu sërish te Zoti yt.”
Mirëpo, u turpërova nga Zoti im (andaj nuk u ktheva).
Pastaj, rrugëtimi vazhdoi, derisa arrita në Sidretul Munteha, e cila vërshoi nga një mori ngjyrash, që nuk e dija çfarë ishin. Më futën edhe në Xhenet, ku pashë kube (pallate të vogla) prej margaritarëve, dheu i të cilit (Xhenetit) ishte prej myshkut.”
6. Nënkapitulli: Ajeti: “Fisit ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kujtoje vëllanë e fisit ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf, ndërsa ka pasur paralajmërues edhe para tij, edhe pas tij (kur u tha): "Adhuroni vetëm Allahun! Unë, me të vërtetë, kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe! Ata u përgjigjën: "Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej hyjnive tona. Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën! Ai u tha (atyre): "Vetëm Allahu e di (kur do të vijë dënimi). Unë kam për detyrë vetëm që t’ju përcjell mesazhin për të cilin jam dërguar, por unë po shoh se ju jeni popull i zhytur në padije. Dhe kur panë një ré që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: "Kjo re po sjell shiun!" - Jo! - u përgjigj ai - kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë. E, në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf, 21-25) “Kurse fisi ad u shkatërrua nga një furtunë e rreptë shungulluese, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Haka, 6-8)
3343. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Arare më ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jam ndihmuar me erën e lehtë të lindjes, kurse Adi (populli i Hudit ﷺ) është shkatërruar me erën e furishme të perëndimit.”
3344. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ibn Kethiri transmeton nga Sufjani, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Ebu Numi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Aliu i dërgoi Pejgamberit ﷺ pak ar, të cilin Pejgamberi ﷺ ua ndau katër personave: “Akra ibn Habis Handhaliut nga fisi muxhashi, Ujejne ibn Bedër Fezariut, Zejd Taiut nga fisi benu nebhan dhe Alkame ibn Ulathe Amiriut nga fisi benu kilab. Kurejshët dhe ensarët u hidhëruan dhe thanë: “Po u jep prijësve të banorëve të Nexhdit, ndërsa ne po na lë?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po ua përfitoj zemrat.” Një njeri me sy të gropuar, me ballë e mollëza të dala, mjekërdendur dhe flokërruar, erdhi dhe tha: “Kije frikë Allahun, o Muhamed!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “E kush do t'i bindet Allahut, nëse unë nuk i bindem? Allahu po m'i beson banorët e Tokës, ndërsa ju nuk po më besoni (për këto pasuri)?” Dikush i kërkoi leje për ta vrarë, - kujtoj se ka qenë Halid ibn Velidi, - por Pejgamberi ﷺ e ndali. Kur burri në fjalë shkoi, Pejgamberi ﷺ tha: “Pasardhësit e këtij, - ose ka thënë: trashëgimtarët e këtij, - janë njerëz që e lexojnë Kuranin, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut, i vrasin muslimanët, ndërkohë i kursejnë idhujtarët. Nëse jam gjallë, do t'i luftoj për t'i shfarosur siç është shfarosur populli i Adit.”
3345. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Halid ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Esvedi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke lexuar ajetin: “... por a ka kush që ia vë veshin?” (Kamer, 15)
Referenca: Sahihu i Buhariut 3345
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Tregimi i jexhuxhëve dhe mexhuxhëve
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: "Unë do t’ju tregoj disa lajme për të. Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë. Kur arriti në vendin e perëndimit të diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull." Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre." Ai tha: "Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli. Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të. Pastaj mori një rrugë tjetër. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuajse nuk kuptonte asnjë të folme." Ata thanë: "O Dhulkarnejn, vërtet, jexhuxhët dhe mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?" Ai tha: "Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (se pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. Më sillni blloqe hekuri!" Dhe, kur ai i rrafshoi të dyja anët e thepisura të maleve, tha: "Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri." Pastaj tha: "Më sillni bakër të shkrirë, që ta hedh në të. Kështu, ata (jexhuxhët dhe mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të." Ai tha: "Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë që të gjithë së bashku.” (Kehf, 83-99) Një person i tha Pejgamberit ﷺ: "E kam parë pendën, e cila dukej sikur xhybe me vija." Pejgamberi ﷺ i tha: “Vërtet e ke parë.”
3346. Nga: Zejneb bint Xhahshi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme, e kjo nga Umu Habibe bint Ebu Sufjani se Zejnebe bint Xhahshi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hyri tek ajo i frikësuar duke thënë: “La ilahe il-lallah! Mjerë arabët nga sherri që u është afruar. Sot është hapur një pjesë e pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo”, - dhe e përtheu gishtin e madh dhe treguesin duke formuar një unazë. - I thashë: “O i Dërguari i Allahut, vallë, ndodh të shkatërrohemi, ndërkohë në mesin tonë ka njerëz të mirë?”
- “Po, nëse përhapet paturpësia”, - u përgjigj ai.
3347. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka hapur një pjesë të pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo” - dhe e përtheu gishtin e madh dhe treguesin duke formuar numrin nëntëdhjetë (në formë unaze).
3348. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar do të thotë:
- O Adem!
- Po të përgjigjem me shumë kënaqësi, mirësia është në Duart e Tua, - iu përgjigj Ademi.
- Nxirre (ndaje prej pasardhësve të tu) grupin e Zjarrit, - i thotë Allahu.
- E cilët janë grupi i Zjarrit? - pyet Ademi.
- Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit), - i thotë Allahu Fuqiplotë. Atë ditë, edhe fëmija do të thinjet: “... Çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t'i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 2)
Të pranishmit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e cili nga ne është ai i vetmi (që do të hyjë në Xhenet nga mesi i një mijë njerëzve).” Ai u tha: “Po ju përgëzoj se një është prej jush, ndërsa një mijë prej jexhuxhëve dhe mexhuxhëve. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se shpresoj që ju do të jeni çereku i banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Pastaj ai tha: “Shpresoj se do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Së treti, Pejgamberi ﷺ tha: “Shpresoj se ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë përsëri tekbir dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Në mesin e njerëzve, ju (banorët e Xhenetit) jeni sikurse një qime e zezë në lëkurën e një kau të bardhë ose si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi.”
8. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu e ka marrë Ibrahimin për mik të ngushtë.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur para Allahut.” (Nahl, 120) dhe: “... Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 114)
3349. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Mugire ibn Numani, e këtij i ka treguar Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ju do të ringjalleni këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pasynetuar.” Pastaj lexoi ajetin: “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë”, (Enbija, 104) pastaj vazhdoi: “Të parit që do t'i vishen rrobat Ditën e Kiametit do të jetë Ibrahimi. Disa shokë të mi do të rrëmbehen nga e majta, kurse unë do të them: “Shokët e mi! Shokët e mi!” Por, më thonë: “Qëkurse je ndarë prej tyre, këta (të rrëmbyerit) janë kthyer në injorancë.” Atëherë, unë do të them ashtu siç ka thënë robi i mbarë (Isai ﷺ): “Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë. Nëse Ti i dënon ata, janë robërit e Tu, e, nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 117-118)
3350. Nga: Ebu Hurejra
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka rrëfyer vëllai im Abdulhamidi, e ky nga Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, Ibrahimi do ta takojë babanë e vet, Azerin, i cili do ta ketë fytyrën me tym e pluhur. Kështu, Ibrahimi do t'i thotë: “A nuk të pata thënë: “Mos më kundërshto?” Babai i tij do t'i thotë: “Sot nuk po të kundërshtoj.” Ibrahimi do të thotë: “O Zot, më ke premtuar se nuk do të më turpërosh ditën kur njerëzit do të ringjallen. A ka turp më të madh për mua sesa babai të jetë i larguar (nga mëshira)?” Allahu i Lartësuar i thotë: “Unë e kam bërë të ndaluar Xhenetin për jobesimtarët. O Ibrahim, shiko te këmbët!” Kur Ibrahimi shikoi, pa një hienë të zhytur në gjak dhe ndyrësirë, të cilën e morën për këmbësh dhe e hodhën në Zjarr.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3350
Fjalë të panjohura?
3351. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Bukejri, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ hyri në Qabe, gjeti një pikturë të Ibrahimit ﷺ dhe një të Merjemes, e në atë rast tha: “Ata (kurejshët) kanë dëgjuar se melekët nuk hyjnë në atë shtëpi që ka piktura (frymorësh). Ky është Ibrahimi i pikturuar. Ai kurrë nuk ka hedhur shigjeta për të kërkuar fatin.”
3352. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ i pa pikturat brenda Qabesë, nuk hyri brenda, por dha urdhër të hiqen. Aty pa Ibrahimin dhe Ismailin ﷺ me shigjeta të fallit në duar dhe tha: “Allahu i vraftë (kurejshët)! Betohem në Allahun se ata (Ibrahimi dhe Ismaili) kurrë nuk hodhën shigjeta për të kërkuar fatin.”
3353. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i nderuar?” Ai iu përgjigj: “Njeriu më i devotshëm.” I thanë: “Nuk po pyesim për këtë.” Ai tha: “Atëherë, Jusufi, i dërguari i Allahut, i biri i të dërguarit të Allahut (Jakubit), i biri i të dërguarit të Allahut (Is'hakut), i biri i mikut të Allahut (Ibrahimit).” I thanë: “As për këtë nuk pyetëm.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po më pyesni për rrënjët e arabëve? Më i miri i tyre në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë.”
Ebu Usame dhe Muëtemiri transmetojnë nga Ubejdullahu, e ky nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
3354. Nga: Semure ibn Xhundubi
Muemeli na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Aufi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sonte më erdhën dy persona. Bashkë me ta shkuam (në qiell) te një burrë i gjatë, saqë mezi ia shihja kokën. Ai ishte Ibrahimi ﷺ.”
3355. Nga: Abdullah ibn Abasi
Bejan ibn Amri më ka thënë: Na ka treguar Nadri, e këtij i ka rrëfyer Ibn Avniu se Muxhahidi rrëfen: “Ishim në një ndejë me Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe u përmend se Dexhalli, mes dy syve, ka të shkruar “kafir (jobesimtar)" ose “K-F-R (ك ف ر)”, e në atë rast Ibn Abasi tha: “Këtë nuk e kam dëgjuar, por di se ka thënë: “Sa për Ibrahimin, ai më ngjan mua, kurse Musai është flokëkaçurrel zeshkan, hipur mbi një deve të kuqe me frerë nga gjethet e palmës; sikur po e shoh tek lëshohet nëpër luginë.”
3356. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Mugire ibn Abdurrahman Kureshiu, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ﷺ është bërë synet në moshën tetëdhjetëvjeçare, me sqepar.”
Ebu Jemani na ka thënë: “Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, i cili ka thënë: "Me sqepar.” (Transmetimin e) Mugire ibn Abdurrahmanit e ka fuqizuar Abdurrahman ibn Is'haku nga Ebu Zinadi. Po ashtu atë e ka fuqizuar Axhlani nga Ebu Hurejra. Po ashtu atë e ka transmetuar Muhamed ibn Amri nga Ebu Seleme.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3356
Fjalë të panjohura?
3357. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Telid Ruejniu na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Xherir ibn Hazimi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ibrahimi nuk ka gënjyer, përveç në tri raste.”
3358. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ibrahimi nuk ka gënjyer kurrë, përveç në tri raste: “Dy prej tyre për hir të Allahut Fuqiplotë. Fjalët e tij: “Unë jam i sëmurë” (Safat, 89) dhe: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre...” (Enbija, 63) Po ashtu (rasti i tretë): “Një ditë, teksa po udhëtonte me Sarën, arritën te një mbret tiran, të cilit i thanë: “Ka ardhur një burrë me një grua, që është më e bukura ndër njerëz.” Kështu, ai dërgoi dikë dhe e pyetën (Ibrahimin):
- Kush është kjo?
- Motra ime, - iu përgjigj Ibrahimi.
Pastaj shkoi te Sara dhe i tha: “Oj Sarë, mbi Tokë nuk ka asnjë besimtar, përveç neve të dyve. Ky më pyeti për ty, kurse unë i thashë se je motra ime, andaj mos më përgënjeshtro.”
Mbreti dërgoi dikë te Sara për ta marrë. Kur Sara shkoi, ai iu afrua për ta prekur, por iu ngri dora. Iu drejtua Sarës: “Lute Allahun për mua dhe nuk do të të dëmtoj aspak.” Ajo e luti Allahun, sakaq iu lirua dora. Pastaj, për së dyti tentoi ta prekte, e sërish dora iu ngri edhe më shumë. Ai i tha: “Lute Allahun për mua dhe nuk do të të dëmtoj aspak.” Ajo e luti Allahun, sakaq iu lirua dora. Ai thirri disa rojtarë të tij dhe u tha: “Nuk më keni sjellë njeri, por më keni sjellë shejtan.” Pastaj ia dha Haxherën për shërbëtore.
Kur Sara u kthye, e gjeti Ibrahimin duke u falur, i cili ia bëri me dorë (duke i thënë): “Ç'është kjo?” Ajo i tha: “Jobesimtarit, - ose ka thënë: Tiranit, - Allahu ia ktheu kurthin e tij në qafë dhe na dha Haxherën për shërbëtore.”
Ebu Hurejra shton: “Kjo ishte nëna juaj, o ju bijtë e ujit të qiellit (o ju arabë).”
3359. Nga: Umu Sheriku
Ubejdullah ibn Musai, - ose ka thënë: Ibn Selami, - na kanë thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e ky nga Abdulhamid ibn Xhubejri, e ky nga Seid ibn Musejebi se Umu Sheriku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar mbytjen e zhapiut dhe ka thënë: “(Zhapiu) i frynte zjarrit të Ibrahimit ﷺ (që të digjej më shumë).”
3360. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari)...”, (Enam, 82) ne i thamë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, e kush prej nesh nuk i bën vetes padrejtësi?” Ai iu përgjigj: “Nuk është siç po mendoni ju. Fjalët: “Nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi", nënkuptojnë me shirk. A nuk e keni dëgjuar fjalën e Lukmanit drejtuar të birit: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Shirku me të vërtetë është padrejtësia më e madhe.” (Lukman, 13)
Referenca: Sahihu i Buhariut 3360
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Ajeti: “Njerëzit nxituan nga ai.”
3361. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahim ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ibn Hajani, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberit ﷺ i sollën pak mish, e në atë rast tha: “Ditën e Kiametit, Allahu do t'i tubojë të parët dhe të fundit në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin të gjithë e syri mund t'i shohë të gjithë dhe Dielli do t'u afrohet shumë afër.” - E përmendi hadithin e shefatit (ndërmjetësimit), - ku tha: “Shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe miku i Tij prej banorëve të Tokës, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne.” Ai, pasi t'i përmendë rastet që ka gënjyer, do t'u thotë: “Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te Musai.”
(Këtë transmetim nga) Ebu Zura e fuqizon Enesi nga Pejgamberi ﷺ.
3362. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ahmed ibn Seid Ebu Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e ky nga babai i tij, e ky nga Ejubi, e ky nga Abdullah ibn Seid ibn Xhubejri, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur të mos ngutej, Zemzemi do të shndërrohej në krua që rrjedh.”
3363. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ensariu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi se Kethir ibn Kethiri tregon: “Unë dhe Othman ibn Sulejmani ishim në një ndejë me Seid ibn Xhubejrin dhe ai tha: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk ma ka transmetuar hadithin në këtë formë, por ai ka thënë: “Kur Ibrahimi e solli Ismailin dhe nënën e tij (në Mekë), Ismaili ishte ende foshnjë në gji. Sara kishte një shportë me vete.”
3364. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Ejub Sehtijani dhe Kethir ibn Kethir ibn Mutalib ibn Ebu Vedaje, të dy e plotësojnë njëri-tjetrin, nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gratë, përdorimin e fundit (të grave), për herë të parë e kanë marrë (si traditë) prej nënës së Ismailit, e cila kishte veshur një fund për të mbuluar përparësitë e saj kundrejt Sarës. Pastaj, Ibrahimi ﷺ e solli atë dhe të birin e saj, Ismailin, i cili ende ishte foshnjë në gji, dhe i la në pjesën e sipërme të Qabesë, afër një peme të madhe, mbi burimin e (ardhshëm të) Zemzemit. Atëkohë, në Mekë nuk kishte njeri dhe nuk kishte ujë. Kështu, Ibrahimi i la aty, e bashkë me ta ua la një shportë me hurma dhe një enë me ujë. Kur nisi të kthehej nga kishte ardhur, nëna e Ismailit e ndoqi dhe iu drejtua: “O Ibrahim, ku po shkon e po na lë ne në këtë luginë të shkretë, pa njerëz dhe pa asgjë tjetër?!” Këto fjalë ia përsëriti disa herë, por Ibrahimi nuk kthehej aspak. Atëherë, ajo i tha: “Vallë, Allahu të ka urdhëruar ta bësh këtë?” Ibrahimi i tha: “Po.” Ajo ia ktheu: “E po, Ai nuk do të na humbasë”, - dhe u kthye. Ibrahimi vazhdoi rrugën derisa vajti te Kodrina e Vogël, ku më nuk e shihnin, u kthye nga ana e Qabesë, i ngriti duart dhe u lut me këto fjalë: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Sate të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e dikujt prej njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ta dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37) Nëna e Ismailit vazhdoi t'i japë gji Ismailit dhe të pijë ujë derisa u harxhua uji që ishte në enë. Kështu, ajo filloi të ndiejë etje, e edhe i biri. Ajo e shikonte të birin tek përpëlitej, - ose ka thënë: rrokullisej, - dhe, nga mërzia për të mos e parë në atë gjendje, u nis dhe shkoi në kodrinën Safa, e cila ishte kodra më e afërt. Hipi në të dhe filloi të shikojë nga lugina në mos shihte ndokënd, por nuk pa njeri. Kështu, u lëshua nga Safa dhe, me të arritur në luginë, e ngriti pak mantelin e saj dhe filloi të vrapojë sikurse të ishte e lodhur, derisa e përshkoi luginën dhe shkoi në kodrinën tjetër, në Merva. Hipi në të dhe shikoi në mos shihte ndonjë njeri, por nuk pa askënd. Kështu veproi shtatë herë. Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pra, ky është vrapimi mes dy kodrinave që e bëjnë njerëzit (gjatë haxhit ose umrës).” Me të arritur në Merva (në herën e fundit), dëgjoi një zë dhe tha: “Hesht!” - duke iu drejtuar vetvetes. Pastaj u ndal të dëgjonte me vëmendje, dhe sërish e dëgjoi zërin e mëparshëm. Atëherë tha: “Të dëgjova! Ke diçka për të më ndihmuar?” Dhe, ja, një melek te burimi i Zemzemit po gërmonte tokën me thembër, - ose ka thënë: me krah, - derisa filloi të burojë uji. Ajo, në këtë moment, filloi ta zgjerojë gropën me duar dhe merrte ujë me grushte për ta derdhur në enën e ujit, ndërsa uji gufonte pas çdo nxjerrjeje. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur ta linte Zemzemin, - ose ka thënë: sikur të mos merrte Zemzem me grushte, - do të shndërrohej në krua që rrjedh.” Ajo piu ujë dhe i dha gji të birit. Meleku i tha: “Mos kini frikë nga humbja, sepse kjo është Shtëpia e Allahut, të cilën do ta ndërtojë ky djalosh me babanë e vet. Allahu nuk i humb kujdestarët e saj (Qabesë).” Atëkohë, Qabeja ka qenë e ngritur mbi sipërfaqe të tokës dhe, kur bëheshin vërshimet, merrnin me vete çdo gjë në të djathtë dhe të majtë të saj. Nëna e Ismailit qëndroi në këtë gjendje, derisa një familje e fisit xhurhum, e cila po kalonte nëpër atë pjesë, të ardhur nga rruga e Kedasë, u ndalën poshtë Mekës. Me të parë një shpend që sillej, thanë: “Ai shpend po sillet mbi ujë, por ne kemi tash e sa kohë që vijmë në këtë luginë dhe asnjëherë nuk ka pasur ujë!” Kështu, dërguan një ose dy persona (për të parë nëse kishte ujë). Kur arritën atje, panë se kishte ujë dhe u kthyen e i treguan karvanit, të cilët erdhën, - dhe e gjetën nënën e Ismailit pranë ujit. - I thanë: “Vallë, a na lejon të vendosemi këtu te ti?” Ajo u tha: “Po, por, nuk keni hise në këtë ujë.” Ata i thanë: “Në rregull.” Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëna e Ismailit e pranoi këtë, sepse dëshironte të kishte shoqëri.” Ata u vendosën aty dhe dërguan dikë ta thërrasë tërë familjen e tyre, të cilët u vendosën në atë vend dhe më vonë ndërtuan shtëpi. Djaloshi (Ismaili) u rrit dhe prej tyre e mësoi gjuhën arabe. Kur arriti moshën e pjekurisë, u bë i pashëm, gjë që atyre u pëlqeu dhe vendosën ta martojnë me një vajzë nga mesi i tyre. Nëna e Ismailit vdiq dhe, pasi Ismaili u martua, Ibrahimi erdhi të shikojë gjendjen e familjes së vet, por nuk e gjeti Ismailin aty. E pyeti bashkëshorten e tij, e ajo i tha: “Ka dalë të na gjejë ushqim.” Pastaj e pyeti rreth jetesës dhe mirëqenies së tyre. Ajo i tha: “Nuk ka më keq, jemi në gjendje mjerimi e vështirësie" - dhe vazhdoi t'i ankohej. Ai iu drejtua: “Kur të vijë bashkëshorti, përshëndete nga unë dhe thuaji le ta ndërrojë pragun e derës.” Me të ardhur, Ismaili kuptoi se diçka kishte ndodhur, andaj pyeti: “Vallë, ka qenë dikush këtu?” - Po, - iu përgjigj bashkëshortja (dhe vijoi): - erdhi një burrë i vjetër kështu e kështu dhe pyeti për ty. Unë i tregova. Pastaj pyeti rreth jetesës sonë dhe unë i tregova për gjendjen tonë të vështirë dhe të mjerueshme. Ismaili i tha: “A të la ndonjë porosi?” Ajo iu përgjigj: “Po, më tha të të përshëndes dhe të të them ta ndërrosh pragun e shtëpisë.” Ismaili i tha: Ai ka qenë babai im, i cili më paska porositur të të shkurorëzoj, andaj shko te familja jote.” Kështu, e ndau gruan e tij dhe u martua me një vajzë tjetër nga po ai fis. Pas njëfarë kohe, Ibrahimi u kthye, por sërish nuk e gjeti Ismailin aty. Shkoi te bashkëshortja e Ismailit dhe e pyeti për të, e në atë rast ajo i tha: “Ka dalë të na gjejë ushqim.”
- Si jeni ju? - e pyeti Ibrahimi dhe vazhdoi ta pyesë rreth jetesës dhe mirëqenies së tyre.
- Jemi shumë mirë dhe në rehati, - iu përgjigj bashkëshortja e Ismailit, pastaj e falënderoi Allahun për gjendjen e tyre.
- Me se ushqeheni? - pyeti Ibrahimi.
- Me mish.
- Çfarë pini? - pyeti ai.
- Ujë.
- O Allah, jepu bereqet në mish dhe ujë! - u lut Ibrahimi ﷺ.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atëkohë, nuk posedonin drithëra. Sikur të kishin, do të lutej edhe për to.” Përdorimi i këtyre të dyjave (në mënyrë të vazhdueshme), i bën dëm njeriut, përveç banorëve të Mekës (për shkak të duasë së Ibrahimit ﷺ).
Ibrahimi i tha: “Kur të vijë bashkëshorti yt, përshëndete nga unë dhe porosite ta mbajë pragun e shtëpisë.” Ismaili, me t'u kthyer në shtëpi, pyeti: “Mos ka qenë ndokush?” Ajo i tha: “Po, një burrë i moshuar e i hijshëm, - dhe vazhdoi ta lavdërojë, pastaj tha: - i cili më pyeti për ty. Unë i tregova, pastaj më pyeti për jetesën tonë dhe unë i tregova që kemi mirëqenie.” Ismaili i tha: “Të la ndonjë porosi?” Ajo iu përgjigj: “Po, të ka përshëndetur ty dhe të ka thënë ta mbash pragun e shtëpisë.” Ismaili ia ktheu: “Ai ka qenë babai im, ndërsa ti je pragu. Më paska porositur të të mbaj ty.”
Pas njëfarë kohe, Ibrahimi vajti sërish dhe e gjeti Ismailin nën hijen e pemës, në afërsi të Zemzemit, duke mprehur një shtizë. Kur e pa, Ismaili u ngrit dhe të dy u përshëndetën siç përshëndetet babai me të birin dhe i biri me babanë. Pastaj i tha:
- O Ismail, Allahu më ka urdhëruar diçka.
- Vepro atë që Allahu të ka urdhëruar, - i tha Ismaili.
- Do të më ndihmosh (edhe ti)? - e pyeti Ibrahimi.
- Do të të ndihmoj.
- Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi në këtë vend, - tha Ibrahimi dhe bëri me dorë nga një vend i ngritur nga toka.
Atëherë, i ngritën themelet e Shtëpisë (Qabesë): Ismaili i sillte gurët, ndërsa Ibrahimi i vendoste në mur. Kur muri u ngrit shumë, Ismaili i solli një gur, në të cilin Ibrahimi hipte për të vazhduar ndërtimin, ndërsa Ismaili ia afronte gurët. Duke punuar, thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127) Kështu, vazhduan ta ndërtonin dhe të silleshin rreth Shtëpisë, duke thënë: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127)
3365. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amir Abdulmelik ibn Amri, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Nafiu, e ky nga Kethir ibn Kethiri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur në familjen e Ibrahimit ndodhi ajo që ndodhi, ai e mori Ismailin me të ëmën e tij dhe një shportë me pak ujë. Nëna e Ismailit pinte ujë që t'i jepte gji fëmijës së vet dhe, me të arritur në Mekë, Ibrahimi i la të dy nën një pemë dhe u nis të kthehej për në shtëpi. Nëna e Ismailit e ndoqi dhe, kur arritën në Keda, e thirri nga mbrapa: “O Ibrahim, me kë po na lë?” Ai tha: “Me Allahun.” Ajo ia ktheu: “Jam e kënaqur me Allahun, pra.” Nëna e Ismailit u kthye dhe pinte ujë nga ena në shportë për t'i dhënë gji foshnjës së vet. Por, kur uji u harxhua, ajo tha me vete: “Të shkoj të shikoj mos po gjej ndokënd.” Kështu, ajo shkoi dhe u ngjit mbi kodrinën Safa, shikoi mos gjente ndonjë njeri, por nuk gjeti askënd. Kur arriti në luginë, filloi të vrapojë deri në Merva. Në këtë mënyrë u soll disa herë, pastaj tha: “Të shkoj të shoh si është fëmija.” Kur shikoi, pa se ai ende ishte në gjendjen e mëparshme: duke dënesur për vdekje. Ajo nuk mund ta shihte në këtë gjendje, andaj tha me vete: “Të shkoj të shoh mos po gjej ndokënd.” Shkoi në Safa dhe shikoi andej-këndej, por nuk pa askënd. Kështu i bëri shtatë xhiro, pastaj tha: “Të shkoj të shoh fëmijën. Papritmas dëgjoi një zë dhe i tha: “Më ndihmo, nëse posedon sadopak mirësi.” Aty ishte Xhibrili, i cili e nguliti thembrën e vet në tokë, sakaq uji shpërtheu. Nëna e Ismailit u habit dhe filloi të gërmojë (përreth burimit). Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “Sikur ta linte, uji do të rridhte.” Kështu, nëna e Ismailit filloi të pijë ujë dhe t'i japë gji foshnjës së vet.
Disa pjesëtarë të fisit xhurhum kaluan pranë luginës dhe vërejtën një shpend (duke u sjellë në qiell) e iu duk si diçka e pazakontë, andaj thanë: “Ky shpend sillet vetëm mbi ujë.” Kështu, dërguan një vëzhgues, i cili pa se aty afër kishte ujë dhe u kthye t'i lajmërojë të tjerët. Ata shkuan te nëna e Ismailit dhe i thanë: “Oj nëna e Ismailit, a na lejon të banojmë me ty?” (Ajo pranoi.)
Kur i biri i saj, Ismaili, arriti moshën e pjekurisë, u martua me një vajzë të fisit xhurhum. Ndërkohë, Ibrahimi vendosi të shkojë tek ata dhe i tha gruas së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë (Ismailit dhe nënës së tij).” Kështu, vajti (te shtëpia e Ismailit), i përshëndeti banorët e saj dhe pyeti: “Ku është Ismaili?” Bashkëshortja e Ismailit iu përgjigj: “Ka shkuar në gjueti.” Pastaj i tha: “Kur të kthehet, porosite dhe thuaji: “Ndërroje pragun e shtëpisë.” Me t'u kthyer Ismaili, gruaja i tregoi ç'kishte ngjarë dhe ai i tha: “Për ty qenka fjala, andaj shko te familja jote (je e shkurorëzuar).”
Sërish Ibrahimi vendosi të shkojë tek ata dhe i tha gruas së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë.” Kështu, vajti (te shtëpia e Ismailit), i përshëndeti banorët e saj dhe pyeti: “Ku është Ismaili?” Bashkëshortja e Ismailit iu përgjigj: “Ka shkuar në gjueti.” Pastaj e pyeti: “Vallë, pse nuk qëndron të hash e të pish diçka?” Ibrahimi i tha: “Me se ushqeheni dhe çfarë pini?” Ajo i tha: “Ushqimi ynë është mishi, ndërsa pija jonë është uji.” Atëherë, Ibrahimi u lut: “O Allah, jepu bereqet në ushqimin dhe pijen e tyre!” Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “(I kaploi) bereqeti i lutjes së Ibrahimit ﷺ.”
Së treti, Ibrahimi vendosi të shkojë sërish dhe i tha familjes së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë.” Kur vajti, e takoi Ismailin mbrapa Zemzemit, teksa po e mprehte majën e një shtize, dhe i tha: “O Ismail, Zoti yt më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi për ta adhuruar Atë.” Ismaili i tha: “Bindju Zotit tënd.”
- Ai më ka urdhëruar që edhe ti të më ndihmosh në ndërtim, - i tha Ibrahimi.
- Atëherë, ashtu do të veproj, - iu përgjigj Ismaili.
Kështu, u ngritën dhe, teksa Ibrahimi e ndërtonte shtëpinë, Ismaili ia afronte gurët. Gjatë punimeve thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127) Kjo vazhdoi derisa muret u ngritën dhe plaku (Ibrahimi ﷺ) u dobësua e nuk mundi t'i ngrinte gurët, andaj hipi mbi gurin e Mekamit1, ndërsa Ismaili i afronte gurë, e, ata në vazhdimësi thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127)
10. Nënkapitull
3366. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, cila xhami është ndërtuar e para në Tokë?”
- “Xhamia e Shenjtë (Qabja)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Xhamia e Aksasë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Sa ishte diferenca kohore mes tyre?
- “Dyzet vjet. Por, kudo që të zë namazi, falu, sepse vlera qëndron te vetë falja e namazit.”
3367. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Amër ibn Ebu Amri, i çrobëruari i Mutalibit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e pa kodrën e Uhudit dhe tha: “Kjo është kodër që na do dhe e duam. O Allah, Ibrahimi e shenjtëroi Mekën, andaj edhe unë po shenjtëroj atë që ndodhet mes dy pllajave të saj (Medinës).”
Këtë e ka transmetuar edhe Abdullah ibn Zejdi nga Pejgamberi ﷺ.
3368. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Ibn Ebu Bekri i ka treguar Abdullah ibn Omerit se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “A nuk e di që, kur populli yt e kanë ndërtuar Qabenë, nuk e kanë vendosur tërësisht në themelet e Ibrahimit?”
- E po, o i Dërguari i Allahut, përse nuk po e rikthen në themelet e Ibrahimit? - i thashë.
- “Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e kufrit (do ta kisha bërë).”
Abdullah ibn Omeri thotë: “Për këtë hadith, që Aishja e ka dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, mendoj se arsyeja pse i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i prekte dy këndet e tjera, që janë afër hixhrit (pjesës gjysmërrethore ngjitur me Qabenë), është se Qabeja nuk është rindërtuar në themelet e Ibrahimit ﷺ.”
Ismaili ka thënë: “(Është për qëllim) Abdullahu, i biri i Muhamedit, i biri i Ebu Bekrit.”
3369. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Muhamed ibn Amër ibn Hazmi, e ky nga babai i tij, e ky nga Amër ibn Sulejm Zurekiu se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se sahabët e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, si të bëjmë salavat për ty?” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ve ezvaxhihi ve dhurrijetihi kema salejte ala ali Ibrahime, ve barik ala Muhamedin ve ezvaxhihi ve dhurrijetihi kema barekte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, siç ke dërguar salavat mbi familjen e Ibrahimit, dhe bekoje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, siç e ke bekuar familjen e Ibrahimit. Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar)!”
3370. Nga: Kab ibn Uxhrai
Kajs ibn Hafsi dhe Musa ibn Ismaili na kanë thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Zijadi, e këtij i ka treguar Ebu Kurra, Muslim ibn Salim Hemdani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Isai se Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “Kab ibn Uxhrai më takoi dhe më tha: “A dëshiron të të dhuroj diçka, që e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ?” I thashë: “Po, ma dhuro.” Ai më tha: “E patëm pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, si të dërgojmë salavat mbi ju, mbi ehlu bejtin, sepse tanimë Allahu na ka mësuar si të dërgojmë selam. Ai tha:
“Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema salejte ala Ibrahime ve ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahime ve ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin dhe familjen e tij, siç ke dërguar salavat mbi Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar. O Allah, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar)!”
3371. Nga: Abdullah ibn Abasi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Minhali, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ lutej për mbrojtjen e Hasenit dhe Husejnit, duke thënë: “Babai juaj lutej për mbrojtjen e dy bijve të vet, Ismailit dhe Is'hakut (me këto fjalë): “Eudhu bikelimatilahi tameh, min kuli shejtanin ve hameh, ve me min kuli ajnin lameh (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut, kundrejt çdo shejtani dhe kafshe helmuese dhe kundrejt çdo syri të keq (mësyshi)!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3371
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Ajeti: “Tregoju atyre edhe për mysafirët e Ibrahimit!”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata thanë: "Mos u frikëso, se ne po të sjellim një lajm të mirë!” (Hixhr, 53) “Kur Ibrahimi tha: "O Zoti im! Më shfaq se si i ngjall të vdekurit!?” (Bekare, 260)
3372. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne jemi më të prirë për të dyshuar sesa Ibrahimi ﷺ kur ka thënë: “O Zoti im! Më shfaq se si i ngjall të vdekurit! Zoti i tha: “A nuk beson?” Besoj, - iu përgjigj Ibrahimi, por dëshiroj të më qetësohet zemra.” (Bekare, 260) Allahu e mëshiroftë Lutin, ai veç kishte mbështetjen e një përkrahësi të fortë (Allahut). Dhe, sikur të qëndroja në burg, aq sa ka qëndruar Jusufi, do t'i përgjigjesha ofertës së thirrësit (për të dalë nga burgu).”
12. Nënkapitulli: Ajeti: “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta.”
3373. Nga: Seleme ibn Ekvai
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po kalonte pranë një grupi njerëzish të fisit eslem, të cilët po ushtronin shenjëtarinë, u tha: “Gjuani, o pasardhësit e Ismailit, sepse babai juaj ka qenë shenjëtar. Ndërkaq, unë po bashkohem me benu filanët.” Pala tjetër ndaluan së gjuajturi dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut, e si të gjuajmë, përderisa ti je me ta?” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Gjuani, sepse unë jam me të gjithë ju.”
13. Nënkapitulli: Historia e Is’hakut, të birit të Ibrahimit, Pejgamberit të Allahut ﷺ
Këtë e kanë transmetuar edhe Ibn Omeri dhe Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ.
14. Nënkapitulli: Ajeti: “A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: "Çfarë do të adhuroni pas meje?" Ata u përgjigjën: "Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: "Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!”
3374. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi transmeton se e ka dëgjuar Muëtemirin, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyetën Pejgamberin ﷺ se kush është njeriu më i nderuar? Ai u përgjigj: “Më i ndershmi i njerëzve është më i devotshmi (në mesin e tyre).” I thanë: “O i Dërguari i Allahut, nuk po pyesim për këtë.” Ai tha: “Atëherë, Jusufi, pejgamber i Allahut, i biri i pejgamberit të Allahut (Jakubit), i biri i pejgamberit të Allahut (Is'hakut), i biri i mikut të Allahut (Ibrahimit).” I thanë: “As për këtë nuk po të pyesim.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po më pyesni për rrënjët e arabëve?” I thanë: “Po.” Ai u tha: “Më i miri prej jush në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kupton fenë.”
15. Nënkapitulli: Ajetet: “Kur Luti i tha popullit të vet: "Përse bëni vepra të mbrapshta e të turpshme, madje në sytë e njëri-tjetrit? Vallë, a mos ju u qaseni me epsh meshkujve, në vend të femrave?" Në të vërtetë, ju jeni popull i paditur, përgjigjja e vetme e popullit të tij ishte: "Dëbojeni familjen e Lutit prej qytetit tuaj, sepse ata janë njerëz të dëlirë! Dhe Ne i shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, së cilës i caktuam që të mbetej me të dënuarit. Dhe mbi ta lëshuam breshëri (prej gurësh)! Eh, sa e tmerrshme që ishte ajo breshëri për ata që ishin paralajmëruar!”
3375. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e faltë Lutin, ai kishte vetëm mbështetjen e një përkrahësi të fortë (Allahut).”
16. Nënkapitulli: Ajetet: “Dhe, kur të dërguarit erdhën te Luti, ai tha: "Unë nuk ju njoh ju!”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai (Faraoni) u shmang (nga besimi), së bashku me komandantët e vet...” (Dharijat, 39) “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri...” (Hud, 113) “Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij...” (Hud, 78) “Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të fundit, do të zhdukej në agim.” (Hixhr, 66) “(Mjaftoi për t’i dënuar ata) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh.” (Jasin, 29) “Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato. Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani.” (Hixhr, 75-76)
3376. Nga: Muxhalid ibn Mesudi
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahmedi, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Esvedi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ lexoi ajetin: “... prandaj, a ka ndonjë që të marrë mësim?” (Kamer, 15)
17. Nënkapitulli: Ajeti: “Fisit themud (Ne i dërguam) vëllanë e tyre, Salihun...”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Edhe banorët e Hixhrit (fisi themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë.” (Hixhr, 80) “Ata thonë (sipas hamendjes së tyre): "Këto bagëti dhe këto e këto bimë janë të ndaluara, nuk mund t’i hajë askush, përveç atyre që ua lejojmë Ne...” (Enam, 138) “... Është e ndaluar çdo e mirë (ose Xheneti është haram për ju)!” (Furkan, 22)
3377. Nga: Abdullah ibn Zema
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Zema (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ - ndërkohë po përmendte historinë e atij që e theri devenë (e Salihut ﷺ), - duke thënë: “(Kur populli thirrën një vullnetar që ka guxim ta therë devenë) u paraqit një burrë me famë dhe pozitë në mesin popullit të vet, sikurse Ebu Zema.”
3378. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Miskin Ebu Haseni na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hasan ibn Hajan Ebu Zekerija, e këtij i ka treguar Sulejmani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ zbriti në vendbanimin e Hixhrit (vendbanimi i popullit themud), në Betejën e Tebukut, i ndaloi ushtarët të pinë ujë në pusin e këtij vendi apo të nxjerrin ujë prej tij. Ata i thanë: “Tashmë kemi gatuar ushqim me atë ujë dhe kemi nxjerrë ujë nga aty.” Por, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të derdhin ushqimin e gatuar dhe ujin e nxjerrë nga aty.
Po ashtu, transmetohet nga Sebra ibn Mabedi dhe Ebu Shumusi se Pejgamberi ﷺ urdhëroi që ushqimi të hidhet. Kurse Ebu Dherri transmeton nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: "Ai që ka përgatitur ushqim me ujin e tij.”
3379. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ushtria, së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ, ndaloi në trojet e popullit themud, në Hixhër, dhe nxori ujë nga puset e tyre, me të cilin zunë brumë. Por, i Dërguari i Allahut ﷺ i urdhëroi të derdhin ujin e nxjerrë nga puset e atij vendi dhe brumin e gatuar t'ua japin deveve. Ndërkaq, për të nxjerrë ujë i urdhëroi ta shfrytëzonin vetëm pusin nga i cili pinte ujë deveja (e Salihut).
Transmetimin e Ubejdullahut e fuqizon Usame nga Nafiu.
3380. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kaloi pranë Hixhrit (vendbanimit të themudit) dhe tha: “Mos hyni në vendbanimet e zullumqarëve, përveçse duke qarë, në mënyrë që të mos ju godasë ajo që i ka goditur ata.” Pastaj e mbuloi fytyën teksa ishte mbi kafshë.
3381. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Vehbiu, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky e ka dëgjuar Junusin, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos hyni në vendbanimet e atyre që i kanë bërë zullum vetes, përveçse duke qarë, në mënyrë që të mos ju godasë ajo që i ka goditur ata.”
18. Nënkapitulli: Ajeti: “Vallë, ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja...?!”
3382. Nga: Abdullah ibn Omeri
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Abdullahu, e ky nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I ndershmi, i biri të ndershmit, i biri të ndershmit, i biri të ndershmit është Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is'hakut, i biri i Ibrahimit ﷺ.”
19. Nënkapitulli: Ajeti: “Për të gjithë ata që pyesin, në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, ka shumë mësime.”
3383. Nga: Ebu Hurejra
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Kush është njeriu më i nderuar?” Ai iu përgjigj: “Më i devotshmi ndaj Allahut.” I thanë: “Nuk po pyesim për këtë.” Ai tha: “Atëherë, Jusufi, i dërguari i Allahut, i biri i të dërguarit të Allahut (Jakubit), i biri i të dërguarit të Allahut (Is'hakut), i biri i mikut të Allahut (Ibrahimit).” I thanë: “As për këtë nuk po të pyesim.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po më pyesni për rrënjët e arabëve? Njerëzit janë sikurse metalet: më i miri i njerëzve në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kupton fenë.”
Muhamed ibn Selami më ka thënë: “Këtë na ka rrëfyer Abde nga Ubejdullahu, e ky nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”
3384. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Bedel ibn Muhaberi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky e ka dëgjuar Urve ibn Zubejrin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “Urdhëroje Ebu Bekrin t'u prijë njerëzve në namaz.” Ajo tha: “Ebu Bekri është shumë i ndjeshëm, andaj, kur të zëvendëson ty, dobësohet emocionalisht (dhe qan).” Ai e përsëriti kërkesën, e ajo ia ktheu të njëjtën përgjigje. Shuëbe thotë: “Herën e tretë ose të katërt, (pasi iu përgjigjën njëjtë) Pejgamberi ﷺ u tha: “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin (t'ua falë namazin)!”
3385. Nga: Ebu Musa Eshariu
Rebi ibn Jahja Basriu na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri, e ky nga Ebu Burde ibn Ebu Musai se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua sëmundja, tha:
- “Thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
Aishja i tha: “Ebu Bekri është burrë kështu e ashtu (person i ndjeshëm).” Ai ia tha të njëjtën gjë, kurse Aishja ia ktheu të njëjtën përgjigje.
Pejgamberi ﷺ në fund i tha: “Thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz! Jeni bërë sikurse gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ.”
Kështu, Ebu Bekri u priu njerëzve në namaz duke qenë Pejgamberi ﷺ gjallë.”
3386. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ lutej duke thënë: “O Allah, shpëtoje Ajash ibn Ebu Rabian! O Allah, shpëtoje Seleme ibn Hishamin! O Allah, shpëtoje Velidin (Ibn Velidin)! O Allah, shpëtoji besimtarët e shtypur! O Allah, vështirësojua punët mudarit (fis arab)! O Allah, shndërrojua këto vite në thatësi sikurse vitet e Jusufit ﷺ!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3386
Fjalë të panjohura?
3387. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamed ibn Esma, i biri i vëllait të Xhuvejriut, e këtij i ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Maliku, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Ebu Ubejdi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Lutin, ai vërtet kishte mbështetjen e një përkrahësi të fortë (Allahut). Sikur të qëndroja në burg aq sa ka qëndruar Jusufi dhe të më vinte thirrësi (për të dalë nga burgu), do t'i përgjigjesha ofertës së tij.”
3388. Nga: Umu Rumani
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Husajni, e ky nga Shekiku se Mesruku tregon: “E pyeta Umu Rumanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nënën e Aishes, për kohën kur qenë përhapur shpifjet rreth Aishes, e në atë rast ajo tha: “Teksa po rrija me Aishen, erdhi një grua ensare dhe tha: “Allahu ia bëftë kështu e ashtu filanit (duke u lutur kundër tij)!”
- Përse, vallë? - pyeta.
- Ai ka përhapur shpifjen, - u përgjigj ajo.
- Çfarë shpifjeje? - pyeti Aishja.
Sakaq ensarja i tregoi.
- Vallë, kanë dëgjuar Ebu Bekri dhe i Dërguari i Allahut ﷺ? - tha Aishja.
- Po, - u përgjigj ensarja.
Me të dëgjuar këtë, Aishes i ra të fikët dhe ra përtokë. Kur u zgjua, e kishin kapluar ethet dhe, kur Pejgamberi ﷺ erdhi, pyeti:
- “Çfarë ka kjo?”
- E kanë kapluar ethet, për shkak të shpifjes që është bërë ndaj saj, - u përgjigja unë.
Aishja u ul dhe tha: “Për Allahun, po t'ju betohesha, ju nuk do të më besonit; po të kërkoja ndjesë, nuk do të më arsyetonit. Andaj, gjendja ime tani, në raport me ju, është sikurse gjendja e Jakubit me të bijtë e tij. Por, vetëm Allahut i kërkohet ndihma për këtë që po flisni ju.”
Pejgamberi ﷺ u largua dhe Allahu i zbriti shpalljen rreth kësaj ndodhie. Kur Pejgamberi ﷺ i tregoi Aishes (për shpalljen dhe pafajësinë e saj), ajo tha: “Merita për këtë i takon vetëm Allahut, askujt tjetër.”
3389. Nga: Urve ibn Zubejri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Urve tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruan e Pejgamberit ﷺ: “Çfarë mendon për ajetin: “Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan (u hamendën) se do të shpalleshin gënjeshtarë (nga populli i tyre)...”, (Jusuf, 110) ose, do të braktiseshin (nga Allahu Fuqiplotë)?
- Përkundrazi, populli i tyre i shpalli gënjeshtarë, - tha Aishja.
- Për Allahun, ata ishin plotësisht të bindur se populli i tyre i ka përgënjeshtruar, nuk ka qenë vetëm hamendje, - tha Urve.
- O Ureje (Urve), ata kanë qenë plotësisht të bindur se populli i ka përgënjeshtruar, - tha Aishja.
- Atëherë, ndoshta ajeti e ka kuptimin se do të braktiseshin? - pyeti Urve sërish.
- Allahu na ruajttë! Pejgamberët asnjëherë nuk mendonin diçka të tillë për Zotin e tyre. Ndërkaq, sa i përket këtij ajeti, është fjala për pasuesit e pejgamberëve, të cilët kishin besuar Zotin e tyre dhe pejgamberëve të tyre, por sprova u zgjati shumë dhe u vonua ndihma ndaj tyre, saqë u bënë pesimistë nga pjesa tjetër e popullit që i përgënjeshtronin. Kështu, kur pejgamberët menduan se këta pasuesit e tyre i kanë përgënjeshtruar, u erdhi ndihma e Allahut. Imam Buhariu ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut...” (Jusuf, 87)
3390. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abde më ka rrëfyer: Na ka treguar Abdusamedi, e ky nga Abdurrahmani, e ky nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I ndershmi, i biri të ndershmit, i biri të ndershmit, i biri të ndershmit është Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is'hakut, i biri i Ibrahimit ﷺ.”
20. Nënkapitulli: Ajeti: “(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: "Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!” (Sad, 42) “Kur e ndienin dënimin Tonë, ata iknin me të shpejtë.” (Enbija, 12)
3391. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një ditë, teksa Ejubi ﷺ lahej i zhveshur, para tij ranë disa karkaleca të artë. Ejubi filloi t'i tubojë me dorë në rrobën e tij. Atëherë, Allahu e thirri: “O Ejub! A nuk të kam dhënë mjaftueshëm, që të mos kesh nevojë për këto që po sheh?” Ai tha: “Posi, o Zoti im, por nuk ngopem dot nga begatitë e Tua.”
21. Nënkapitulli: Ajetet: “Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur, ishte i dërguar dhe profet. Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur, duke e afruar në një bisedë të fshehtë.”
Allahu ﷻ ka thënë: “Meqë e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe biseduan fshehurazi.” (Jusuf, 80)
3392. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky e ka dëgjuar Urven se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Duke i rrahur zemra pareshtur, i Dërguari i Allahut ﷺ u kthye te Hadixhja. Ajo e shoqëroi për te Veraka ibn Neufeli, i cili ishte bërë i krishterë (në periudhën paraislame) dhe njihte leximin e Inxhilit në arabisht.” Veraka i tha: “Çfarë ke parë?” Pasi Pejgamberi ﷺ i tregoi, Veraka tha: “Atë që ke parë është Namusi që Allahu e ka dërguar më parë te Musai ﷺ. Nëse jam gjallë ditën kur do të të dëbojnë, do të të ndihmoj fuqishëm.”
(Buhariu ka thënë:) “Namusi është ai që i është besuar një e fshehtë, tek e cila nuk kanë qasje të tjerët.”
22. Nënkapitulli: Ajetet: “A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: "Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një copë druri (gacë) të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes. Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: "O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kur (Musai) pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: "Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një copë druri të ndezur (gacë) ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes.” (Taha, 10) “... sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.” (Taha, 12) “(Allahu) i tha: "Merre atë (shkopin që u bë gjarpër) dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.” (Taha, 21) “... Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.” (Taha, 54) Ata u përgjigjën: "Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu. Dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste." Atëherë tha: "Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)! Vallë, a nuk e shihnin ata, se (viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie?” (Taha, 87-89) “Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur!” (Taha, 81) “Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët...” (Kasas, 10) “Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar.” (Kasas, 34) “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: "O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë.” (Kasas, 20) Allahu tha: "Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd...” (Kasas, 35) “Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij.” (Taha, 31) Musai u tha atyre: "Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim.” (Taha, 61) Njëri prej tyre tha: "Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64) Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.” (Taha, 67) (Faraoni) tha: "Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave.” (Taha, 71) “(Musai) tha: Si është puna jote, o Samiri?” (Taha, 95) (Musai) tha: "Atëherë, ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash: "Mos më prekni." Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet." Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: "Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.” (Taha, 97) Ajo i tha motrës së Musait: "Shko pas tij! E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.” (Kasas, 11) “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur...” (Jusuf, 11) Kur shkoi motra jote e tha: "A doni t’ju tregoj dikë që do të kujdeset për të?, Ne të kthyem te nëna jote, që ajo të gëzohej dhe të mos pikëllohej më. Pastaj ti vrave një njeri, por Ne të shpëtuam nga brenga dhe të vumë në sprova të shumta. Ti qëndrove me vite të tëra midis banorëve të Medjenit, pastaj erdhe sipas porosisë së caktuar, o Musa!” (Taha, 40) Shkoni ti dhe vëllai yt me mrekullitë e Mia dhe mos reshtni së përmenduri Mua!” (Taha, 42) Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58) Ne i thamë Musait: "Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!” (Taha, 77)
3393. Nga: Malik ibn Saësai
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Malik ibn Saësai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u rrëfeu për natën e Israsë dhe, kur kishte arritur në qiellin e pestë, e kishte takuar Harunin: “Xhibrili më tha: “Ky është Haruni, përshëndete!” Unë e përshëndeta dhe ai ma ktheu, pastaj më tha: “Mirë se vjen, o vëlla dhe pejgamber i mirë!”
Transmetimin e Katades e fuqizon Thabiti dhe Abad ibn Ebu Aliu nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
23. Nënkapitulli: Ajeti: "Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: "Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë ‘Allahu është Zoti im’, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.”
24. Nënkapitulli: Ajetet: “A e ke dëgjuar historinë e Musait?”; “Allahu i ka folur Musait drejtpërdrejt.”
3394. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “(Natën kur më ngritën në qiell) e pashë Musain ﷺ: një burrë i thatë e i gjatë, sikurse të ishte nga fisi shenue. Pastaj e pashë edhe Isain ﷺ: një burrë mesatar e i kuq, (i pastër) sikurse të kishte dalë nga banja. Ndërkaq, unë jam pasardhësi që më së shumti i përngjan Ibrahimit. Pastaj m'i sollën dy enë, në njërën kishte qumësht, kurse në tjetrën verë, dhe më thanë: “Pi në cilëndo që dëshiron.” Unë mora qumështin dhe e piva. Më thanë: “E zgjodhe natyrshmërinë. Sikur ta merrje verën, umeti yt do të devijonte.”
3395. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky e ka dëgjuar Ebu Alijen se i biri i xhaxhait të Pejgamberit tuaj Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askujt nuk i përket të thotë: “Unë jam më i mirë se Junus ibn Meta”, duke aluduar se Meta ishte babai i tij.
3396. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ përmendi natën e Israsë dhe tha: “Musai ishte një burrë i zeshkët dhe i gjatë, sikurse të ishte nga fisi shenue. Ndërkaq, Isai ishte flokë kaçurrel e me trup mesatar.” Pastaj përmendi Malikun, rojën e Zjarrit, dhe Dexhallin.
3397. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ejub Sihtijaniu, e ky nga Ibn Seid ibn Xhubejri, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar një ditë, - ditën e Ashurës, - të cilët thanë: “Kjo është një ditë e madhe. Në këtë ditë Allahu e ka shpëtuar Musain, ndërsa e ka mbytur ushtrinë e Faraonit, andaj Musai e ka agjëruar këtë ditë si falënderim ndaj Allahut. Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë jam më meritor për Musain se ata.” Kështu, e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”
25. Nënkapitulli: Ajeti: "Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: "O Zoti im, shfaqu që të të shoh." Zoti tha: "Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua. E, kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: "I lavdëruar qofsh Ti, o Zot! Kthehem te Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërrmohen me një goditje shkatërrimtare.” (Haka, 14) “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë?...” (Enbija, 30) “... Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin...” (Bekare, 93) “Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta...” (Araf, 171)
3398. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Jahjai, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, të gjithë njerëzve do t'u bjerë të fikët. Unë do të jem i pari që do të këndellem. Atëherë do ta shoh Musain, të kapur për një shtylle të Arshit. Nuk di nëse është këndellur para meje apo është mjaftuar me herën e parë që i kishte rënë të fikët te mali Tur (kur kishte kërkuar ta shihte Allahun).”
3399. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishin benu israilët, mishi nuk do të prishej kurrë dhe, sikur mos të ishte Havaja, asnjë grua nuk do ta nxiste burrin e saj për të keq.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3399
Fjalë të panjohura?
26. Nënkapitulli: Furtuna me vërshime
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.” (Araf, 133) “E kam detyrë që për Allahun të them vetëm të vërtetën dhe tashmë ju kam sjellë provë të qartë nga Zoti juaj; andaj, lëri të vijnë me mua bijtë e Izraelit!” (Araf, 105) “Por, kur u penduan dhe e kuptuan se kishin hyrë në rrugë të gabuar, ata thanë: "Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!” (Araf, 149)
27. Nënkapitulli: Hadithi i Hidrit me Musain ﷺ
3400. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Amër ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs Fezariu debatuan për personin që e kishte takuar Musai ﷺ. Ibn Abasi thoshte se ai ka qenë Hidri. Në bisedë e sipër, pranë tyre kaloi Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e pa, andaj e thirri e i tha: “Me këtë shokun tim diskutuam për personin me të cilin Musai ﷺ kërkonte të takohej. A mos e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë folur për të?” Ai iu përgjigj: “Po, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, vajti një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?”
- Jo, - tha Musai ﷺ.
Atëherë, Allahu i shpalli: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur).”
Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë. Atij iu tha: “Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin).” Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det. Kur djaloshi, që e shoqëronte, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Musai ia ktheu: “Këtë po e prisnim.” Andaj, u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin. Pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.”
3401. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Seid ibn Xhubejri tregon se i ka thënë Ibn Abasit: “Neuf Bekaliu pretendon se Musai, në historinë e Hidrit, nuk është Musai i benu israilëve, por fjala është për një Musa tjetër.” Ibn Abasi ia ktheu: “Ka gënjyer, armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musai, i dërguari i Allahut, benu israilëve ua mbajti një ligjëratë dhe, pasi e kreu, dikush e pyeti: “Kush është njeriu më i ditur?” Ai tha: “Unë.” Andaj, Allahu e qortoi pse nuk ia kishte atribuuar diturinë Atij dhe i tha: “Përkundrazi, në vendin ku bashkohen dy detet është një rob Imi që është më i ditur se ti.” Musai tha: “O Zoti im, kush do të më dërgojë tek ai?” - ka mundësi se Sufjani ka thënë: si mund të arrij tek ai?” - Allahu i tha: “Vendos një peshk në një shportë dhe te vendi që do ta humbësh atë, do ta gjesh këtë njeri.” Kështu, Musai mori një peshk, të cilin e vendosi në një shportë dhe u nis bashkë me djaloshin Jusha ibn Nun, derisa arritën te një shkëmb, ku u mbështetën për të fjetur. Kur Musai fjeti, peshku rrëshqiti nga shporta dhe u largua për në det. Allahu e ndaloi rrjedhën e ujit, në mënyrë që ta bllokojë peshkun (aty ku ishte). Ata vazhduan rrugën gjatë gjithë natës dhe një pjesë të ditës, derisa, të nesërmen, Musai i tha djaloshit: “Na e shtro ushqimin, sepse jemi lodhur nga ky udhëtim.” Musai nuk e kishte ndier lodhjen derisa e kaloi vendin që Allahu ia kishte përcaktuar (për ta takuar Hidrin). Djaloshi i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Ndërkaq, çuditërisht peshku kishte ikur në det. Pra, peshku rrëshqiti ngadalë, gjë e cila i habiti ata.
Musai i tha djaloshit: “Këtë po prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa duke i përcjellë gjurmët e veta dhe, kur arritën te shkëmbi, panë një njeri të mbështjellë me një rrobë. Pasi Musai ﷺ e përshëndeti me selam, Hidri i tha: “E prej nga të paskemi ty me këtë përshëndetje?”
- Unë jam Musai, - tha Musai ﷺ.
- Musai i benu israilëve? - pyeti Hidri.
- Po, - tha Musai,
- Kam ardhur të më mësosh diçka prej urtësive të tua.
- Unë kam dije që ma ka mësuar Allahu e që ti nuk e ke, por edhe ti ke dituri që ta ka mësuar Allahu, të cilën unë nuk e kam, - i tha Hidri.
- Më lejon të vij me ty? - e pyeti Musai.
“Ai iu përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu, e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kehf, 67-69) U nisën duke ecur nëpër bregdet dhe, në rrugë e sipër, afër tyre lundroi një anije. Drejtuesve të anijes i kërkuan të hipnin në të dhe, ngaqë ata e njohën Hidrin, i pranuan të hipnin pa pagesë.
Ndërkohë, një zog zbriti në një skaj të anijes dhe u ul e piu dy-tri herë ujë deti me sqepin e tij. Hidri i tha Musait ﷺ: “O Musa! Dituria ime dhe jotja nuk ia ka pakësuar diturinë Allahut më shumë sesa e pakësoi ujin e detit sqepi i këtij zogu.”
(Gjatë rrugës) Hidri ia mësyu një dërrase të anijes me sëpatë dhe e nxori nga vendi. Atëherë Musai, i çuditur, reagoi e i tha: “Çfarë bëre? Këtyre që na mbartën pa kurrfarë pagese ua shkatërrove anijen që t'i fundosësh! Vërtet bëre një punë të çuditshme!” Hidri tha: “A të kam thënë se nuk do të kesh durim me mua?” Por, Musai i tha: “Mos më qorto, sepse harrova, dhe mos më ngarko me vështirësi në këtë çështje.” Hera e parë ishte për shkak të harresës së Musait. Me të dalë nga deti, kaluan pranë një djaloshi, që po lozte me disa të tjerë. Hidri iu afrua fëmijës dhe me dorën e tij ia këputi kokën kësisoj, - këtu Sufjani lëvizi majat e gishtërinjve sikur po këpuste diçka. - Musai i tha: “More një shpirt të pafajshëm, pa asnjë arsye? Vërtet bëre një punë të shëmtuar!” Hidri ia ktheu: “A të kam thënë se nuk mund të kesh durim me mua?” Musai tha: “Nëse edhe një herë të pyes për diçka, mund të refuzosh shoqërimin tim, tashmë ke arsye për këtë.”
Sërish vazhduan rrugën dhe, kur arritën te një fshat, u kërkuan strehim fshatarëve, por ata refuzuan. Aty hasën një mur, i cili veç sa nuk rrëzohej nga lakimi, - këtu Sufjani bëri me dorë sikur po shtynte diçka përpjetë. (Ali ibn Abdullahu thotë:) Sa i përket shprehjes “nga lakimi”, e kam dëgjuar vetëm një herë nga Sufjani. - (Hidri e shtyu me dorë dhe e drejtoi.) Musai iu drejtua: “Një populli që, kur erdhëm, as na dhanë për të ngrënë, as na bënë konak, ti po ua rregullon murin? Nëse do, mund t'u kërkosh pagesë për këtë shërbim.” Hidri i tha: “Këtu duhet të ndahemi unë dhe ti, e në vijim do të të tregoj për domethënien e asaj që nuk munde të kesh durim!”
Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Sikur të duronte edhe më tutje, do të mësonim më shumë prej rrugëtimit të tyre.”
(Buhariu) Ka thënë: “Ibn Abasi këtë ajet, përkatësisht shprehjen “veraehum (pas tyre)”, e ka lexuar: “emamehum (para tyre)" ndodhej një mbret, i cili grabiste çdo anije të mirë. Ndërkaq, ajetin tjetër e lexonte: “Sa për djaloshin, ai ka qenë jobesimtar, kurse prindërit e tij ishin besimtarë.” Pastaj Sufjani më tha: “E kam dëgjuar dy herë nga ai dhe e kam mbajtur në mend.” Dikush e pyeti Sufjanin: “E ke mbajtur në mend para se ta dëgjosh prej Amrit apo e ke mësuar prej ndonjë njeriu tjetër?” Tha: “E prej kujt tjetër do ta mësoja?!”
Edhe dikush e ka transmetuar prej Amrit, përpos meje, prej të cilit e kam dëgjuar dy-tri herë dhe e kam mbajtur në mend prej tij.
3402. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Seid Asbehani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Mubareku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Hidri është quajtur me këtë emër, sepse, njëherë, u ul në një tokë të shkretë, e cila, pasi ai u largua, u gjelbërua.”1
Referenca: Sahihu i Buhariut 3402
Fjalë të panjohura?
28. Nënkapitull
3403. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Benu israilët janë urdhëruar me këto fjalë: “... duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!...”, (Bekare, 58) por ata hynë (në qytet) zvarrë, të kthyer mbrapshtë, dhe fjalën “hitah" (falna mëkatet) e zëvendësuan me fjalën “hintah" (kokërr gruri).”
3404. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka treguar Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Aufi, e ky nga Haseni, Muhamedi dhe Hilasi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Musai ﷺ ka qenë i turpshëm dhe, nga turpi, ruhej të mos i zbulohej asnjë pjesë trupi. Disa benu israilë e ofenduan dhe thanë: “Ai me siguri ka ndonjë mangësi në lëkurë, përndryshe nuk do ta fshihte lëkurën kaq shumë, ose është zgjebosur, ose ka fryrje të organeve gjenitale, ose ndonjë sëmundje tjetër.” Por, Allahu deshi ta pastrojë Musain nga shpifjet e tyre.
Një ditë, kur Musai shkoi të lahej i vetëm, i vendosi rrobat e veta në një gur dhe, pasi u pastrua, shkoi të marrë rrobat, por guri filloi të ikë së bashku me rrobat e tij. Musai mori shkopin e vet dhe filloi të kërkojë gurin duke thirrur: “Rrobën time, o gur! Rrobën time, o gur!” derisa arriti përballë një grupi benu israilësh, të cilët e panë Musain të zhveshur, në formën më të përsosur, siç e kishte krijuar Allahu, dhe e pastroi nga shpifjet e tyre. Pasi e arriti gurin, Musai e mori rrobën e tij dhe filloi ta godasë gurin me shkop.”
Ebu Hurejra thotë: “Betohem në Allahun se në atë gur ende duken shenjat e atyre goditjeve: tri, katër ose pesë goditje. Për këtë gjë flet ajeti: “O besimtarë, mos u bëni si ata, që e fyen Musain. Allahu e çliroi atë nga përgojimet e tyre; ai, tek Allahu, është i nderuar.” (Ahzab, 69)
3405. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Ditën e Hunejnit), kur Pejgamberi ﷺ shpërndau plaçkën e luftës, një burrë tha: “Nuk është synuar kënaqësia e Allahut me ndarjen e kësaj preje.” Unë shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i tregova. Ai u zemërua aq shumë, saqë zemërimi i vërehej edhe në fytyrë, pastaj tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Është fyer edhe më rëndë se kaq, por ka duruar.”
29. Nënkapitulli: Ajeti: “Ne i kaluam benu israilët përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet...”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë, është krejt pa vlerë.” (Araf, 139) “Kur erdhi koha e përmbushjes së profecisë për ngatërresën e dytë, Ne i dërguam (armiqtë tuaj) për t’jua nxirë fytyrat tuaja dhe që të hyjnë në tempull, siç patën hyrë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht çdo gjë që pushtonin.” (Isra, 7)
3406. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa po mblidhnim fruta të kebathit me të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai tha: “Mblidhni këto të zezat, sepse janë më të mirat.” Të pranishmit pyetën: “Vallë, ke qenë bari delesh?” Pejgamberi ﷺ u tha: “A ka ndonjë pejgamber që nuk ka qenë bari?”
30. Nënkapitulli: Ajeti: “Kujto kur Musai i tha popullit të vet: "Allahu ju urdhëron të therni një lopë!" Ata thanë: "Po tallesh me ne, vallë?" Musai u tha: "Zoti më ruajt të bëhem unë nga injorantët!”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ata thanë: "Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!" Musai tha: "Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit.” (Bekare, 69) Musai tha: "Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndoshë dhe pa asnjë të metë. Ata thanë: "Tani na the të vërtetën. Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar. Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju.” (Bekare, 71-72) “Sikur të ishin deve të verdha!” (Murselat, 33)
31. Nënkapitulli: Vdekja e Musait dhe përmendja e tij pas vdekjes
3407. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Meleku i Vdekjes u dërgua te Musai ﷺ dhe, me të shkuar tek ai, Musai e goditi me shuplakë. Meleku u kthye te Zoti i vet dhe i tha: “Më ke dërguar te një rob që nuk dëshiron të vdesë.” Allahu i Lartësuar i tha: “Kthehu tek ai dhe thuaji ta vendosë dorën mbi shpinën e një kau dhe, aq qime sa mbulon dora e tij, (do t'i dhuroj jetë shtesë) për secilën qime nga një vit.”
- O Zot, e pastaj çfarë? - pyeti Musai.
- Pastaj vdekje, - iu përgjigj Allahu Fuqiplotë.
- Atëherë, të vdes tani, - tha Musai dhe i kërkoi Allahut t'ia mundësojë t'i afrohet Tokës së Shenjtë, sa një hedhje guri. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të isha atje, do t'jua tregoja varrin e tij përskaj rrugës, te Kodrina e Kuqe.”
Na ka rrëfyer Mameri nga Hemami, e këtij i ka treguar Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ ngjashëm.
3408. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Dy burra u zunë mes vete: njëri musliman, tjetri hebre. Muslimani, teksa po betohej, tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Muhamedin ndër gjithë njerëzimin.” Hebreu tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndër gjithë njerëzimin.” Atëherë muslimani e ngriti dorën dhe i ra shuplakë fytyrës hebreut, kështu që hebreu shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe ia tregoi ngjarjen e tij me muslimanin. Më pas, Pejgamberi ﷺ tha: “Mos më mbivlerësoni kundrejt Musait, sepse në Ditën e Kiametit, kur njerëzve t'u bjerë të fikët, unë do të jem i pari që do të zgjohem. Atëherë do ta shoh Musain duke u mbajtur anash Arshit. Nuk di nëse edhe atij i ka rënë të fikët dhe është përmendur para meje apo është prej atyre ndaj të cilëve Allahu ka bërë përjashtim.”
3409. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ademi dhe Musai debatuan mes vete dhe Musai i tha: “Ti je Ademi, që të nxori mëkati yt prej Xhenetit!” Ademi ia ktheu: “Ndërsa ti je Musai, që Allahu të përzgjodhi me shpallje dhe të foli drejtpërdrejt, e pastaj po më fajëson mua për diçka që më është përcaktuar para se të krijohem.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha dy herë: “Ademi triumfoi kundrejt Musait.”
3410. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Husajn ibn Numejri, e ky nga Husajn ibn Abdurrahmani, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe na tha: “Më janë paraqitur umetet. Kështu, pashë një turmë të madhe që mbulonte tërë horizontin, për të cilën më thanë: “Ky është Musai, me popullin e vet.”
32. Nënkapitulli: Ajetet: “Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: O Zoti im! Ndërtomë një banesë te Ti, në Xhenet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës! Dhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë (shpirtin e Isait ﷺ). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit!”
3411. Nga: Ebu Musa Eshariu
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Shuëbe, e ky nga Amër ibn Murra, e ky nga Murra Hemdani se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shumë burra e kanë arritur përsosurinë. Ndërkaq, nga radhët e grave përsosurinë e kanë arritur vetëm Asija, gruaja e Faraonit, dhe Merjemja, e bija e Imranit; ndërkaq, vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
33. Nënkapitulli: Ajeti: “Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm." Njerëzit e popullit të tij i thanë: "Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Të nesërmen, ata që më parë dëshironin të kishin qenë në vend të tij, thoshin: "Është shumë e qartë se Allahu është Ai që i jep bollëk dhe ia pakëson kujt të dojë prej robërve të Tij...” (Kasas, 82)
34. Nënkapitulli: Ajeti: “Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllain e tyre, Shuajbin.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pyet banorët e qytetit në të cilin kemi qenë dhe karvanin me të cilin kemi udhëtuar dhe ki besim se ne jemi të drejtë!” (Jusuf, 82) Ai tha: "O populli im, a mos vallë farefisi im për ju është më i respektuar se Allahu, të Cilin po e anashkaloni?" Me të vërtetë, Zoti im, ka nën kontroll gjithçka që bëni ju.” (Hud, 92) Allahu tha: "Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur.” (Maide, 26) Shuajbi u largua prej tyre dhe tha: "O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!” (Araf, 93) Nëse një grup mes jush beson në mesazhin me të cilin jam dërguar, ndërsa grupi tjetër nuk beson, duroni derisa Allahu të gjykojë midis nesh! Ai është gjykatësi më i mirë!” (Hud, 87) Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi i Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.” (Shuara, 189)
35. Nënkapitulli: Ajetet: “Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit. Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe ai ishte njëri prej tyre që i ra shorti. Pastaj atë e gëlltiti një balenë, e ai ishte i qortuar.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije). Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz, dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.” (Safat, 143-148) “Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi ﷺ), kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)!” (Kalem, 48)
3412. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi. [t]: Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos thotë se unë jam më i mirë se Junusi.”
Musededi shton: "Junus ibn Meta.”
3413. Nga: Abdullah ibn Abasi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Ebu Alije se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askujt nuk i takon të thotë: “Unë jam më i mirë se Junus ibn Meta”, duke aluduar se Meta ishte babai i tij.
3414. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Abdullah ibn Fadli, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një blerës i ofroi një hebreu çmim të lirë për një mall që e kishte ekspozuar në treg dhe hebreu tha: “Jo, betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndër gjithë njerëzimin!” Një burrë ensar, kur e dëgjoi, u ngrit dhe i ra shuplakë fytyrës e iu drejtua: “Po thua: “Jo, betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndër gjithë njerëzimin!”, ndërkohë Pejgamberi ﷺ është në mesin tonë?” Kështu, hebreu shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O Ebu Kasim, unë jam nën garanci dhe besë. Vallë, pse filani më bie shuplakë fytyrës?” Pejgamberi ﷺ e pyeti ensariun: “Pse i ke rënë shuplakë fytyrës?” Ai ia tregoi ndodhinë, por Pejgamberi ﷺ u zemërua aq shumë, saqë iu vrenjt fytyra dhe tha: “Mos i mbivlerësoni pejgamberët e Allahut ndaj njëri-tjetrit, sepse, kur t'i fryhet Surit, do t'i bjerë të fikët çdo gjëje në Tokë dhe në qiell, përveç atyre që Allahu i ka veçuar. Pastaj, kur i fryhet për së dyti, unë do të jem i pari që do të këndellem dhe do ta shoh Musain të kapur për Arshi. Nuk e di nëse i është llogaritur alivanosja Ditën e Turit apo është zgjuar para meje.”
3415. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon (duke vazhduar hadithin paraprak): “Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “E as them: “Ndokush është më i mirë se Junus ibn Meta.”
3416. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky e ka dëgjuar Humejd ibn Abdurrahmanin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askujt nuk i përket të thotë: “Unë jam më i mirë se Junus ibn Meta.”
36. Nënkapitulli: Ajeti: “Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e së shtunës!”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e së shtunës! Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta. (Kujtoje) kur disa prej tyre thanë: “Pse e këshilloni popullin, të cilin Allahu do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë me ndëshkim të ashpër?" Këshilltarët u përgjigjën: "Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet. Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre. Kur ata ngulmuan me mendjemadhësi të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: "Bëhuni majmunë të përbuzur!” (Araf, 163-166)
37. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ndërsa Davudit ia dhamë Zeburin.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Davudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): "O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Davudin. Ne ia zbutëm atij hekurin, (dhe i thamë): "Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të baraspeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11) “Dhe, kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: "Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!” (Bekare, 250)
3417. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Davudit ﷺ i ishte lehtësuar leximi i Librit të Shenjtë, andaj, kur urdhëronte t'i shaloheshin kafshët, teksa priste, e lexonte Librin e Shenjtë. Ai ushqehej vetëm me atë që e fitonte përmes punës së vet.”
Këtë e transmeton edhe Musa ibn Ukbe nga Safvani, e ky nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
3418. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i kishin treguar se unë kisha thënë: “Betohem në Allahun se, sa të jem gjallë, do të agjëroj çdo ditë dhe do të falem gjatë gjithë natës.” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Ti je ai që po thotë: “Betohem në Allahun se, sa të jem gjallë, do të agjëroj çdo ditë dhe do të falem gjatë gjithë natës?” I thashë: “Po, ashtu kam thënë.” Ai më tha: “Nuk do të mund ta arrish këtë, kështu që agjëro (ndonjëherë) dhe ha (ndonjëherë), falu (natën) dhe fli. Për çdo muaj agjëro nga tri ditë, sepse vepra e mirë dhjetëfishohet. Kjo të llogaritet si të kesh agjëruar tërë vitin.” Unë i thashë: “Unë mundem edhe më shumë se kaq, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Atëherë, agjëro një ditë, e dy të tjera ha.” I thashë: “Mundem edhe më shumë se kaq.” Ai tha: “Pra, një ditë agjëro, një ditë ha, ky është agjërimi i Davudit dhe agjërimi më i mirë.” I thashë: “Unë mundem edhe më mirë, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Nuk ka më mirë se kjo.”
3419. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Misari, e këtij i ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti, e ky nga Ebu Abasi se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më ka thënë: “Sikur kam dëgjuar që u falke natën dhe agjëruake ditën?” Ithashë: “Po.” Ai më tha: “Nëse vepron kështu, do të të dobësohen sytë e do të të lodhet trupi, andaj, agjëro nga tri ditë prej çdo muaji, gjë e cila të llogaritet sikur të agjërosh tërë kohën.” Unë i thashë: “Por, unë mundem edhe më shumë.” Ai më tha: “Atëherë pra, agjëro sikurse Davudi ﷺ. Ai, një ditë agjëronte, një ditë hante dhe, kur përballej me armikun, nuk ikte.”
38. Nënkapitulli: Namazi dhe agjërimi më i dashur tek Allahu ishte namazi dhe agjërimi i Davudit. Ai flinte gjysmën e natës, falej një të tretën e saj, pastaj sërish flinte një të gjashtën dhe një ditë agjëronte, një ditë hante
Aliu transmeton se Aishja ka thënë: "Pejgamberin ﷺ, sa ka qenë tek unë, koha e syfyrit gjithnjë e zinte në gjumë."
3420. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Amër ibn Evs Thekafiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit, i cili, një ditë agjëronte, një ditë hante. Dhe, namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit ﷺ, i cili flinte gjysmën e natës, pastaj falej një të tretën dhe flinte një të gjashtën.”
39. Nënkapitulli: Ajetet: “Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Davudin, që përherë i drejtohej Zotit. Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes, edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij. Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar.”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve, që hipën mbi murin e faltores së tij? Kur hynë te Davudi, ai u frikësua prej tyre." Ata thanë: "Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë. (Njëri prej tyre tha:) "Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: "Ma jep mua atë! - dhe më mundi me fjalë." Davudi tha: "Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak. Davudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.” (Sad, 21-24)
3421. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sehël ibn Jusufi, e ky e ka dëgjuar Avamin se Muxhahidi tregon: “Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i thashë: “A ka sexhde leximi në suren Sad?” Ai i lexoi ajetet: “Ne i dhuruam atij Is'hakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugën e drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijain, Jahjain, Isain, Iljasin - të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin - secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit. Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugë të drejtë edhe disa nga paraardhësit, pasardhësit dhe vëllezërit e tyre. Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet. Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t'u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë. Këta janë ata që u kemi dhënë Librin, Urtësinë dhe pejgamberinë. E, nëse ata (banorët e Mekës) i mohojnë këto, Ne do t'ia besojmë një populli tjetër që nuk do t'i mohojë. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre...” (Enam, 84-90) dhe tha: “Edhe Pejgamberi juaj ﷺ ishte urdhëruar t'i pasonte ata.”
3422. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Surja Sad) nuk përmban sexhde (të leximit). Mirëpo, e kam parë Pejgamberin ﷺ duke rënë në sexhde gjatë leximit të saj.”
40. Nënkapitulli: Ajeti: “Ne i falëm Davudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit!”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe tha: "O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35) Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy melekëve në Babiloni - Harutit e Marutit. Këta melekë nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: "Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)! Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e vet! Ah, sikur ta dinin!” (Bekare, 102) “Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje. Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë dhe xhinë që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit. Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm. Oj familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)! Megjithatë, pak nga robërit e Mi janë falënderues. Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhinët të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar.” (Sebe, 12-14) “Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: "Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit. M’i ktheni ata (kuajt) - e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre. Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, por ai iu drejtua Zotit.” (Sad, 31-34) Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai.” (Sad, 36) Si dhe të tjerë të lidhur në pranga." (Ne i thamë): "Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë!” (Sad, 38-39)
3423. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dje, m'u shfaq një ifrit xhin, i cili donte të ma ndërpriste namazin, por Allahu ma mundësoi ta mbërtheja. Desha ta lidhja në një shtyllë të xhamisë, që të mund ta shihnit të gjithë, mirëpo m'u kujtua lutja e vëllait tim, Sulejmanit: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro pushtet që nuk do ta ketë askush pas meje!”, (Sad, 35) prandaj e lëshova të poshtëruar.”
Ifrit: një i rebeluar nga njerëzit ose xhinët.
3424. Nga: Ebu Hurejra
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Mugire ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sulejmani, i biri Davudit ﷺ, ka thënë: “Sonte, do të bëj marrëdhënie me shtatëdhjetë gra, që secila të më lindë nga një kalorës që do të luftojë në rrugën e Allahut.” Shoqëruesi i vet i tha: "(Thuaj) inshallah (vetëm nëse Allahu do)!” Por, ai nuk tha. Kështu, asnjëra prej grave nuk mbeti shtatzënë, përveç njërës, e cila lindi një gjysmë njeriu. Sikur të kishte thënë “inshallah”, të gjithë (bijtë e tij) do të luftonin në rrugën e Allahut (si kalorës).”
Shuajbi dhe Ibn Ebu Zinadi na kanë thënë: "nëntëdhjetë", - dhe kjo është më e sakta.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3424
Fjalë të panjohura?
3425. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Omer ibn Hafsi më ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, cila xhami është ndërtuar e para?”
- “Xhamia e Shenjtë (Qabja)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Xhamia e Aksasë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Sa kishte diferencë kohore mes tyre?
- “Dyzet (vjet)”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj tha: “Kudo që të zë namazi, falu, sepse vetë toka është xhami për ty.”
3426. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e këtij i ka treguar Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Unë, në raport me njerëzit, i shëmbëllej një njeriu që ndez një zjarr dhe fluturat e insektet e tjera bien në të...”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3426
Fjalë të panjohura?
3427. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dy gra kishin nga një djalë. Papritmas, një ujk erdhi dhe e rrëmbeu fëmijën e njërës. Tjetra i tha: “E rrëmbeu birin tënd.” E para ia ktheu: “Jo, e rrëmbeu tëndin.” Kështu, vendosën të shkojnë të gjykohen te Davudi, i cili gjykoi në favor të së madhes. Pastaj shkuan edhe te Sulejmani, i biri i Davudit ﷺ, dhe ia treguan ngjarjen.” Ai tha: “Më sillni një thikë, që t'jua ndaj përgjysmë (djalin).” E vogla reagoi me të shpejtë dhe tha: “Mos e bëj, Allahu të mëshiroftë!” Atëherë, Sulejmani gjykoi se i biri ishte i së voglës.”
Ebu Hurejra ka thënë: “Për Allahun, kurrë më herët nuk e kam dëgjuar fjalën “sikin" (thikë), sepse thikës ne i thoshim vetëm mudje.”