Sahihu i Buhariut — Hadithi 6036
39. Nënkapitulli: Sjellja e mirë, bujaria dhe ca gjëra të urryera në lidhje me koprracinë
Ibn Abasi ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë njeriu më bujar. Bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit. Ebu Dherri tregon se, kur mori vesh për vendndodhjen e Pejgamberit ﷺ gjatë zbritjes së shpalljes, i tha vëllait të vet: "Shko në atë luginë dhe dëgjo ndonjë gjë prej fjalëve të tij! Kur u kthye, ai tha: "E pashë duke urdhëruar për moralet e larta."
6036. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua i solli Pejgamberit ﷺ një pelerinë. Pastaj Sehli i pyeti njerëzit: “E dini ç'është pelerina?”
- Po, petk i gjatë, - iu përgjigjën të pranishmit.
Sehli thotë: “Është petk i qëndisur në skaje.”
Gruaja në fjalë i tha Pejgamberit ﷺ: “Ta kam sjellë që ta veshësh.”
Pejgamberi ﷺ e mori dhe, ngaqë kishte nevojë për të, e veshi. Kur një burrë nga sahabët e pa atë, i tha:
- O i Dërguari i Allahut, sa e mirë që qenka! Mund të ma japësh?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kur Pejgamberi ﷺ shkoi, shokët e tij e kritikuan dhe i thanë: “Nuk bëre mirë që ia kërkove, sepse ti e pe se Pejgamberi ﷺ e mori atë sepse kishte nevojë. Ia kërkove, edhe pse e dije që ai nuk refuzon askënd kur i kërkon diçka.”
Ai tha: “Meqë Pejgamberi ﷺ e pati veshur atë, shpresova në bereqetin e saj dhe desha të më mbetet për qefin.”