Sahihu i Buhariut — Hadithi 6063

56. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat.”

Fjala e Tij: “O njerëz! Me të vërtetë, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju ju dëmton.” (Junus, 23) Fjala e Tij: “Kjo është kështu! E kush ndëshkon tjetrin me të njëjtën masë me të cilën ka qenë i ndëshkuar vetë, e pastaj atij përsëri i bëhet padrejtësi, Allahu do ta ndihmojë atë patjetër.” (Haxh, 60) Po ashtu, braktisja e dëmtimit të muslimanit a femohuesit.

6063. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kohë të gjatë Pejgamberit ﷺ po i përfytyrohej se flinte me gratë e tij, gjë që në realitet nuk e bënte. Një ditë prej ditësh më tha: “Oj Aishe! Allahu i Lartësuar më dha përgjigje për një çështje që e kam lutur. Më erdhën dy burra: njëri u ul te këmbët e mia, kurse tjetri te koka, e në atë rast ai që ishte te këmbët i tha atij që ishte te koka:
- Çfarë ka ky burrë?
- I është bërë sihër, - tha tjetri.
- Kush i ka bërë sihër? - pyeti i pari.
- Lebid ibn Asami, - tha ai.
- Në çfarë?
- Në krehër me flokë dhe thek hurme, nën një rrasë guri që qëndron në fundin e pusit Dhervan, - tha tjetri.”
Aishja vazhdon: “Pastaj Pejgamberi ﷺ erdhi dhe tha: “Ky është ai pusi që më ishte shfaqur. Frutat e asaj hurme (afër pusit) dukeshin si koka shejtanësh, kurse uji i tij kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë.”
Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të nxirret. Aishja thotë: “E pyeta: “O i Dërguari i Allahut, a e prishe sihrin me rukje?” Ai tha: “Meqë Allahu më shëroi mua, nuk më pëlqen t'ua kujtoj njerëzve të keqen.”
Ajo tha: “Lebid ibn Asami ishte një burrë nga fisi Zurejk, aleat i hebrenjve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6063

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?