Sahihu i Buhariut — Hadithi 6073
62. Nënkapitulli: Bojkotimi
Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Nuk i lejohet një njeriu ta bojkotojë vëllanë e tij më tepër se tri ditë.”
6073. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
6073, 6074, 6075 - Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Auf ibn Tufejli, i cili, nga nëna, ishte djali i vëllait të Aishes, gruas së Pejgamberit ﷺ, tregon: “Dikush i tregoi Aishes se Abdullah ibn Zubejri, në lidhje me një shitblerje ose dhënie të Aishes, kishte thënë: “Betohem në Allahun se, nëse nuk ndalon së vepruari kështu, do t'ia bllokoj pasurinë.” Ajo tha: “Ai ka thënë kështu?!” Thanë: “Po.” Aishja tha: “Zotohem para Allahut se nuk do t'i flas Ibn Zubejrit kurrë!”
Më vonë, kur Ibn Zubejri pa se ky bojkot u zgjat shumë, dërgoi ndërmjetësues tek ajo.” Ajo tha: “Jo, për Allahun, nuk do të pranoj asnjë ndërmjetësues për të e as do ta prish zotimin tim.”
Kur kjo gjë iu zgjat shumë Ibn Zubejrit, i foli Misver ibn Mahremit dhe Abdurrahman ibn Esved ibn Abdujeguthit, të cilët ishin pjesëtarë të fisit benu zuhre, e u tha: “Ju lus, për hir të Allahut, që të më futni disi tek Aishja, sepse asaj nuk i lejohet të zotohet që ta shkëpusë lidhjen familjare me mua!”
Kështu, Misveri dhe Abdurrahmani shkuan bashkë me të, ndërkohë që Ibn Zubejri ishte strukur pas tyre e i kërkuan leje Aishes:
- Selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu! A mund të hyjmë brenda?
- Hyni! - tha Aishja.
- Të gjithë ne? - thanë ata.
- Po, hyni të gjithë! - ua ktheu ajo.
Ajo nuk e dinte se me ta ishte edhe Ibn Zubejri. Posa u futën brenda, Ibn Zubejri e kaloi perden, e përqafoi Aishen dhe filloi t'i kërkojë falje e të qajë. Edhe Misveri e Abdurrahmani filluan t'i kërkojnë asaj t'i flasë Ibn Zubejrit dhe ta pranojë, duke i thënë se Pejgamberi ﷺ, siç e di edhe ti, ka ndaluar bojkotimin, andaj nuk i lejohet një muslimani ta bojkotojë vëllanë e tij më shumë se tri ditë me radhë. Pasi e shtuan presionin ndaj Aishes, me rikujtim dhe këmbëngulje të vazhdueshme, ajo filloi t'u flasë me fjalë këshilluese dhe, duke qarë, tha: “Unë tanimë jam zotuar, ndërkohë zotimi është një gjë e madhe.” Mirëpo, ata të dy vazhduan të këmbëngulnin derisa, më në fund, ajo i foli Ibn Zubejrit, ndërsa për zotimin që kishte bërë, i liroi dyzet robër.
Më vonë, kur i kujtohej ky zotim, plaste në vaj, saqë lotët ia lagnin mbulesën e fytyrës.”