Sahihu i Buhariut — Hadithi 6081
66. Nënkapitulli: Zbukurimi gjatë takimit me delegacione
6081. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar babai i tij se Jahja ibn Ebu Is'haku thotë: “Salimi, i biri i Abdullahut, më pyeti: “Çfarë është istebraku?” I thashë: “Çdo rrobë nga mëndafshi i vrazhdë.” Tha: “E kam dëgjuar Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke treguar se njëherë Omer ibn Hatabi pa një burrë me një palë rroba të reja istebraku, të cilat i mori dhe ia dërgoi Pejgamberit ﷺ e i tha:
- O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje nëpër takime me delegacionet që të vijnë?
- “Mëndafshin e veshin vetëm ata që nuk kanë hise (në botën tjetër)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas kësaj kaloi njëfarë kohe dhe Pejgamberi ﷺ i dërgoi atij një palë rroba të reja mëndafshi. Omeri shkoi e i tha:
- M'i dërgove këto, ndërkohë që ti vetë pate thënë fjalë jo të mira për to?
- “Në të vërtetë, t'i kam dhënë që të nxjerrësh ndonjë fitim prej tyre”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ky hadith ishte shkak që më pas Ibn Omeri të urrente çdo arnim (me mëndafsh) që u bëhej rrobave.”