Sahihu i Buhariut — Hadithi 6106
74. Nënkapitulli: Ata që nuk e konsiderojnë jobesimtar personin që akuzon tjetrin me kufër nga mosdija ose për shkak të ndonjë keqinterpretimi
Omeri pati thënë për Hatib ibn Ebu Beltain: "Ai është hipokrit." Por, Pejgamberi ﷺ ia pati kthyer: “Ku e di ti? Ndoshta Allahu u ka hedhur një shikim pjesëmarrësve të Bedrit dhe u ka thënë: "Jua kam falur.”
6106. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Abade na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Salimi, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Muadh ibn Xhebeli e falte namazin me Pejgamberin ﷺ, pastaj kthehej dhe i printe fisit të vet në namaz. Një natë, ai ua lexoi suren Bekare dhe, si pasojë, një burrë (nga xhemati) u shkëput prej namazit dhe u fal vetmas si shpejt. Kur Muadhit i erdhi ky lajm, tha: “Ai është hipokrit.” Kur mori vesh se ç'kishte thënë Muadhi, burri në fjalë shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, ne jemi njerëz që punojmë me duart tona dhe ujisim me devetë tona, ndërsa Muadhi na e fali namazin mbrëmë me suren Bekare, andaj unë dola anash (për t'u falur vetëm), ndërkohë ai pretendoi se unë jam hipokrit.” Pejgamberi ﷺ i tha tri herë: “O Muadh! A përçarës je ti? Lexoje suren Shems, suren Aëla ose diçka të ngjashme me to!”