Sahihu i Buhariut — Hadithi 6112
75. Nënkapitulli: Zemërimi dhe ashpërsia për hir të Allahut të Lartësuar
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve, dhe bëhu i ashpër ndaj tyre!” (Teube, 73)
6112. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbaithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë dhe mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj shfrytëzoje. Nëse më vonë paraqitet pronari, ktheja.”
- O i Dërguari i Allahut! Po delja e humbur? - pyeti beduini.
- “Merre, sepse, ja e merr ti, ja vëllai yt, ja i mbetet ujkut.”
- O i Dërguari i Allahut! Po deveja e humbur? - pyeti sërish beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ u zemërua, saqë iu skuqën mollëzat, - ose ka thënë: iu skuq fytyra, - dhe tha:
- “Ç'ke ti me të? Ajo mund të ecë vetë dhe ujin e ka me vete, derisa ta gjejë pronari i vet.”