Sahihu i Buhariut — Hadithi 6115

76. Nënkapitulli: Ruajtja nga zemërimi

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha dhe mbrapshtive, e kur i zemëron dikush, falin.” (Shura, 37) Po ashtu, ka thënë: “...të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 134)

6115. Nga: Sulejman ibn Suredi

Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Adij ibn Thabiti se Sulejman ibn Suredi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndronim ulur me Pejgamberin ﷺ, dy burra filluan të grindeshin mes vete. Njëri prej tyre po e shante tjetrin i zemëruar, saqë fytyra i ishte skuqur. Pejgamberi ﷺ në atë rast tha: “Unë di një fjalë, të cilën, sikur ta thoshte, do t'i kalonte ajo që e ka kapluar; sikur të thoshte: “Eudhu bilahi mineshejtani rraxhim (Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit të mallkuar).” Andaj, burrit në fjalë i thanë: “Vallë, a nuk po e dëgjon Pejgamberin ﷺ çfarë po thotë?!” Ai tha: “Unë nuk jam i çmendur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6115

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?