Sahihu i Buhariut — Hadithi 6134

84. Nënkapitulli: E drejta e mysafirit

6134. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Husejni, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë dhe më tha: “Jam njoftuar se ti falesh natën dhe agjëron ditën.”
- Ashtu është, - i thashë.
- “Mos bëj ashtu! Falu dhe fli, agjëro dhe ha, sepse trupi yt ka të drejta ndaj teje, syri yt ka të drejta ndaj teje, mysafirët e tu kanë të drejta ndaj teje, bashkëshortja jote ka të drejta ndaj teje, si dhe mbase do të jetosh gjatë. Prandaj, të mjafton t'i agjërosh tri ditë në muaj: meqë për çdo vepër të mirë shpërblehesh dhjetëfish, i bie se agjëron tërë vitin”, - më tha ai.
Abdullahu thotë:
Unë këmbëngula, andaj m'u vështirësua. Thashë:
- Por unë mundem më shumë se kaq?
- “Atëherë, agjëro tri ditë në javë!”, - më tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Vazhdova të këmbëngul dhe m'u vështirësua edhe më shumë. Thashë:
- Mundem edhe më shumë se kaq?
- “Atëherë, agjëro siç agjëronte pejgamberi i Allahut, Davudi!”, - më tha ai.
- E si ka qenë agjërimi i Pejgamberit të Allahut, Davudit? - pyeta.
- (Agjëronte) gjysmën e kohës”, - m'u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6134

Hadithe të ngjashme: Shiko (19)

Fjalë të panjohura?