Sahihu i Buhariut — Hadithi 6142
89. Nënkapitulli: Respektimi i të vjetrit, si dhe dhënia përparësi më të vjetrit në të folur ose në të pyetur
6142. Nga: Rafi ibn Hadixhi - Sehël ibn Ebu Hathme
6142 - 6143 Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Bushejr ibn Jesari, i çrobëruari i ensarëve, se Rafi ibn Hadixhi dhe Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesud ibn Zejdi shkuan në Hajber, ku u ndanë nga njëri-tjetri në Kopshtin e Hurmave, e në atë rast Abdullah ibn Sehli u vra. Me të arritur te Pejgamberi ﷺ, Abdurrahman ibn Sehli bashkë me Muhajisan dhe Huvejisan, të dy bijtë e Mesudit filluan të flisnin për çështjen e shokut të tyre. Abdurrahmani, i cili ishte më i riu prej tyre, filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Respektoje më të vjetrin!” - Jahjai shpjegon se kishte për qëllim që të fliste më i madhi, - kështu që ata folën për çështjen e shokut të tyre. Pejgamberi ﷺ u tha: “Që ta meritoni shpagimin e të vrarit tuaj, - ose tha: shokut tuaj, - le të betohen pesëdhjetë prej jush?” Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, është fjala për diçka që nuk e kemi parë me sy!” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Atëherë, hebrenjtë le të shfajësohen me pesëdhjetë betime.” Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ata janë popull jobesimtar.” Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (të vrarin) me pasurinë e vet.
Sehli tha: “Mua më takoi një deve nga ato dhe, kur u futa në torishtën e tyre, ajo më goditi me këmbë.”
Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Jahjai nga Bushejri, e ky nga Sehli, ndërkohë JahjaI ka thënë: “Më duket se ka thënë: “Bashkë me Rafi ibn Hadixhin"; kurse Ibn Ujejne ka thënë: “Na ka treguar Jahjai nga Bushejri, e ky vetëm nga Sehli.”