Sahihu i Buhariut — Hadithi 6148

90. Nënkapitulli: Llojet e lejuara dhe të urryera të poezisë, rimave e këndimit

Allahu i Lartësuar ka thënë: “E sa u përket poetëve, vetëm të humburit janë pasues të tyre. A nuk e sheh se si sillen vërdallë në çdo luginë?!” (Shuara, 224-225) Ibn Abasi (rreth këtij ajeti) thotë: "Zhyten në çdo llaf të kotë."

6148. Nga: Seleme ibn Ekvai

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Rrugën për në Hajber e kaluam me të Dërguarin e Allahut ﷺ gjatë natës. Një burrë i tha Amir ibn Ekvait: “A po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Amiri ishte poet, andaj filloi të recitojë poezi në prani të njerëzve, duke thënë:

"O Allah, pa Ty ne nuk do të udhëzoheshim,

S'do të jepnim lëmoshë, as do të faleshim.

Falna sa të jemi gjallë, për Ty u flijofshim,

Dhe na forco këmbët, në u ballafaqofshim!

Qetësinë zbrite të na mbulojë,

Nëse thirremi (për luftë) nxitojmë,

Edhe nëse me britma na ftojnë.”

Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës?”
- Amir ibn Ekvai, - i thanë.
- “Allahu e mëshiroftë!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, iu sigurua (Xheneti). Sikur të kënaqeshim edhe pak me të!”
Pastaj shkuam në Hajber dhe i rrethuam. Ashtu qëndruam derisa na goditi një uri e madhe, e në atë rast Allahu na e çliroi Hajberin. Me t'u ngrysur, në mbrëmjen e po së njëjtës ditë, njerëzit ndezën shumë zjarre. Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?”
- Po ziejmë mish, - i thanë.
- “Çfarë mishi?”
- Mish gomarësh.
- “Derdhini dhe thyejini enët!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, a mund t'i derdhim dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush.
- “Bën edhe ashtu!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Njerëzit u rreshtuan (për luftë). Amiri kishte një shpatë të shkurtër, me të cilën ia mësyu një hebreu për ta goditur, por tehu i shpatës kërceu dhe e goditi Amirin në gju, plagë kjo prej së cilës Amiri vdiq. Kur u nisën për t'u kthyer, Seleme tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ më pa të shqetësuar dhe më tha:
- “Çfarë ke?”
- Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat, - i thashë.
- “Kush ka thënë ashtu?
- Filani, filani, filani dhe Usejd ibn Hudajr Ensariu, - thashë.
- “Ka gënjyer kush thotë ashtu. Në të vërtetë, ai i ka dy shpërblime, - dhe, duke i bashkuar dy gishtat, tha: ai ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. Të rrallë janë arabët që kanë ecur mbi tokë sikurse ai”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6148

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?