Sahihu i Buhariut — Hadithi 6164
95. Nënkapitulli: Kur dikush përdor fjalët: "Mjerë ti!"
6164. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam shkatërruar.”
- “Mjeri ti!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time, në Ramazan (duke qenë agjërueshëm), - iu përgjigj ai.
- “Liro një rob!”
- S'kam, - tha ai.
- “Atëherë, agjëro dy muaj rresht!”
- S'mundem.
- “Ushqeji gjashtëdhjetë të varfër!”
- S'kam mundësi, - tha ai.
Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma, e në atë rast i tha:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë.”
- Ndonjë më të varfri se unë, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Allahun se mes dy kodrave të Medinës nuk ka shtëpi më të varfër se familja ime, - tha ai.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmbët, pastaj tha: “Merre ti, pra!”
Transmetimin e Evzaiut e fuqizon Junusi nga Zuhriu. Po ashtu e transmeton Abdurrahman ibn Halidi nga Zuhriu se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: "Mjerë ti!”