Sahihu i Buhariut — Hadithi 6173
97. Nënkapitulli: Kur dikush i thotë tjetrit: "Largomu!"
6173. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri rrëfen se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe disa sahabë të tjerë shkuan me të Dërguarin e Allahut ﷺ tek Ibn Sajadi (që dyshonin se ishte Dexhalli), të cilin e gjetën duke luajtur me fëmijë, te Kulla e Fisit Benu Megale. Atëkohë, Ibn Sajadi ishte afër pubertetit. Nuk e hetoi aspak të Dërguarin e Allahut ﷺ, derisa e goditi me dorë dhe i tha: “A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ibn Sajadi e shikoi dhe tha: “Dëshmoj se ti je i dërguari i analfabetëve (arabëve).” Pastaj iu drejtua të Dërguarit të Allahut ﷺ duke i thënë: “Po ti, a dëshmon për mua se jam i dërguar i Allahut?”
Pejgamberi ﷺ refuzoi dhe tha: “Unë besoj në Allahun dhe në të dërguarit e Tij.” Pastaj e pyeti Ibn Sajadin: “Çfarë po sheh (se po të paraqitet)?”
- Më paraqitet një i vërtetë dhe një gënjeshtar, - iu përgjigj ai.
- “Të është përzier çështja”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ, pastaj vazhdoi: - “Të kam fshehur diçka (në veten time për të të thënë). E di ç'është ajo?”
- Ty..., - tha ai (deshi ta theksojë fjalën “tym”, por nuk mundi ta përfundojë deri në fund).
- “Largomu, se nuk do të arrish asgjë (nga të fshehtat)”, - ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia heq kokën, - tha Omeri.
- “Nëse me të vërtetë është ai (Dexhalli), s'do të kesh mundësi ta mbysësh, e, nëse nuk është ai, nuk ke dobi nga vrasja e tij”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ Omerit.