Sahihu i Buhariut — Hadithi 6213
117. Nënkapitulli: Kur dikush thotë për diçka: "S’është gjë ajo punë, ndërkohë ka për qëllim që nuk është e drejtë."
Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ në lidhje me dy varre ka thënë: “Këta dy që po dënohen, nuk po dënohen për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre), por, në fakt, ai është mëkat i madh.”
6213. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahled ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Jahja ibn Urve, e ky e ka dëgjuar Urven se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ca njerëz e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth falltarëve. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “S'është gjë ajo punë.”
- O i Dërguari i Allahut! Por, nganjëherë ata po na tregojnë për diçka e cila, pas një kohe, po realizohet! - thanë ata.
- “Kjo që ndodh është një fjalë e vërtetë të cilën një xhin e grabit dhe e lëshon në veshin e mikut të tij, si kakarisje pule, i cili pastaj e përzien atë me njëqind e më shumë gënjeshtra”, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.”