Sahihu i Buhariut — Hadithi 6228
2. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty askënd, atëherë mos hyni në to derisa t’ju jepet leja, e nëse ju thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di çdo gjë që veproni ju. Nuk është për ju ndonjë mëkat nëse hyni në shtëpi të pabanuara, e që në to keni ndonjë përfitim. Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani fshehtë.”
Seid ibn Ebu Haseni i ka thënë Hasenit: "Gratë e huaja (jomuslimanet) i zbulojnë gjokset dhe kokat e tyre!" Ai i tha: "Largoje shikimin prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju besimtarëve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 30) Katadja, në lidhje me këtë ajet, thotë: Është për qëllim (ulja e shikimit) ndaj atyre që nuk u lejohen. “Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 31) Ajeti: “... shikimin e përvjedhur të syrit...”, (Gafir, 19) nga ajo që është e ndaluar. Zuhriu, në lidhje me femrat që nuk e kanë arritur pubertetin, ka thënë: "Nuk është mirë të shikohet në ndonjë pjesë të tyre që nxit lakmi, edhe nëse janë të vogla. Atai e urrente shikimin e robëreshave që shiteshin në Mekë, përveç nëse kishte për qëllim blerjen e tyre."
6228. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Sulejman ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ditën e Bajramit të Kurbanit, i Dërguari i Allahut ﷺ e hipi Fadël ibn Abasin mbrapa në kafshën e tij. Fadli ishte djalosh i pashëm. Kur Pejgamberi ﷺ u ndal para njerëzve për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre, një grua e bukur e fisit hatham erdhi për ta pyetur diçka të Dërguarin e Allahut ﷺ. Fadli filloi ta shikonte atë dhe e mahniti bukuria e saj. Kur Pejgamberi ﷺ ktheu kokën nga ajo, pa Fadlin që po e shikonte, andaj, duke e zgjatur dorën prapa, e kapi Fadlin për mjekre dhe ia shmangu shikimin tutje.”
Ajo pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Kur Allahu ua bëri obligim haxhin robërve të Tij, babai im ishte i thyer në moshë, saqë nuk mund të qëndronte as mbi kafshën e udhëtimit. A i llogaritet atij haxhi nëse unë e kryej në vend të tij?”
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”