Sahihu i Buhariut — Hadithi 6229
2. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty askënd, atëherë mos hyni në to derisa t’ju jepet leja, e nëse ju thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di çdo gjë që veproni ju. Nuk është për ju ndonjë mëkat nëse hyni në shtëpi të pabanuara, e që në to keni ndonjë përfitim. Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani fshehtë.”
Seid ibn Ebu Haseni i ka thënë Hasenit: "Gratë e huaja (jomuslimanet) i zbulojnë gjokset dhe kokat e tyre!" Ai i tha: "Largoje shikimin prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju besimtarëve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 30) Katadja, në lidhje me këtë ajet, thotë: Është për qëllim (ulja e shikimit) ndaj atyre që nuk u lejohen. “Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 31) Ajeti: “... shikimin e përvjedhur të syrit...”, (Gafir, 19) nga ajo që është e ndaluar. Zuhriu, në lidhje me femrat që nuk e kanë arritur pubertetin, ka thënë: "Nuk është mirë të shikohet në ndonjë pjesë të tyre që nxit lakmi, edhe nëse janë të vogla. Atai e urrente shikimin e robëreshave që shiteshin në Mekë, përveç nëse kishte për qëllim blerjen e tyre."
6229. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Zuhejri, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes, mos u ulni nëpër rrugë!”
- O i Dërguari i Allahut, nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse aty i bëjmë ndejat dhe bisedojmë mes vete, - i thanë.
- “Atëherë, nëse tuboheni për ndeja, respektoni rregullat e rrugës”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Cilat janë rregullat e rrugës, o i Dërguari i Allahut!?
- “Të ulet shikimi, të mos pengohet tjetri, të kthehet selami, të urdhërohet në mirësi dhe të ndalohet e keqja”, - u tha Pejgamberi ﷺ."