Sahihu i Buhariut — Hadithi 6267
30. Nënkapitulli: Ai që, kur përgjigjet, thotë: "Të përgjigjem me kënaqësi"
6267. Nga: Muadh ibn Xhebeli
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi se Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha ulur mbrapa Pejgamberit ﷺ (në kafshë), Pejgamberi ﷺ më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
Këtë e përsëriti tri herë, pastaj më tha: “E di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?”
- Jo, - i thashë.
- “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj eci një kohë dhe sërish tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
- “E di cila është e drejta e njerëzve kundrejt Allahut, nëse ata e bëjnë këtë? Të mos i dënojë ata”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Hudbe na ka thënë: “Këtë na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja nga Enesi, e ky nga Muadhi.”