Sahihu i Buhariut — Hadithi 6280
40. Nënkapitulli: Dremitja e mesditës në xhami
6280. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Turab (Babai i Dheut) ishte emri më i dashur për Aliun, me të cilin, kur thirrej, gëzohej.
I Dërguari i Allahut ﷺ vajti në shtëpinë e Fatimes, por nuk e gjeti Aliun aty, andaj pyeti:
- “Ku është djali i xhaxhait tënd?”
- Patëm diçka mes vete (u fjalosëm) dhe më hidhëroi, andaj doli dhe nuk e bëri pushimin e mesditës tek unë, - tha Fatimja.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha dikujt: “Shiko ku është ai!” Kur u kthye personi në fjalë, i tha: “O i Dërguari i Allahut, ishte shtrirë në xhami.”
I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi dhe e gjeti të shtrirë. Rroba e sipërme i kishte rënë nga supi, kështu që krahu i ishte bërë me dhé. I Dërguari i Allahut ﷺ filloi t'ia fshijë krahun duke i thënë: “Çohu, o Ebu Turab (Baba i Dheut)! Çohu, o Ebu Turab!”