Sahihu i Buhariut — Hadithi 6288

45. Nënkapitulli: Të mos i pëshpëritin dy persona njëri-tjetrit përderisa i treti është i pranishëm

Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar, kur i pëshpëritni njëri-tjetrit, mos pëshpëritni për gjëra që janë mëkat, armiqësi dhe kundërshti ndaj Pejgamberit, por pëshpëritni për bamirësi e devotshmëri, dhe frikësojuni Allahut tek i Cili do të tuboheni. Bisedat e fshehta vijnë nga djalli, për t’i dëshpëruar besimtarët; por ai nuk mund t’ju shkaktojë kurrfarë të keqeje, përveç nëse Allahu e lejon atë (dëm). Por, besimtarët, le të mbështeten (vetëm) tek Allahu! (Muxhadele, 9-10) Po ashtu, Ai ka thënë: “O ju që keni besuar, kur dëshironi të bisedoni me të Dërguarin, jepni një sadaka para bisedës suaj. Kjo është për ju më e pastër; e nëse nuk keni çka të jepni, Allahu është Falës dhe Mëshirues. A mos po frikoheni që para këshillimit tuaj të jepni lëmoshë?! E nëse nuk jepni, e Allahu ju ka falur, atëherë kryeni namazin dhe jepeni zekatin dhe dëgjoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu di çdo gjë që punoni.” (Muxhadele, 12-13)

6288. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku. [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ndodhen tre persona, të mos i pëshpëritin dy prej tyre njëri-tjetrit e ta lënë anash të tretin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6288

Fjalë të panjohura?