Sahihu i Buhariut — Hadithi 6306
2. Nënkapitulli: Istigfari më i mirë
Allahu i Madhëruar rrëfen fjalën e Nuhut, ku thotë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 12) Si dhe ka thënë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre - e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135)
6306. Nga: Shedad ibn Evsi
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Husejni, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejde, e këtij i ka treguar Bushejr ibn Kab Adeviu se Shedad ibn Evsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Zotëria i istigfarit (kërkimit të faljes) është të thuash: “Allahume, ente rabi, la ilahe ila ente, halakteni, ve ene abduke, ve ene ala ahdike ve vadike mestetatu, eudhu bike min sherri ma sanatu, ebu'u leke bi nimetike aleje, ve ebu'u leke bi dhenbi, fagfir li, inehu la jagfiru dhunube ila ente (O Allah, Ti je Zoti im, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Unë jam në besën dhe në premtimin Tënd, aq sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes që e kam vepruar. Begatitë e Tua unë i pranoj dhe mëkatet e mia unë i pranoj para Teje, andaj m'i fal mëkatet e mia, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje). Kush e thotë këtë ditën (në mëngjes) me bindje të plotë dhe vdes para se të ngryset, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. Po ashtu, ai që e thotë këtë natën (në mbrëmje) me bindje të plotë dhe vdes para se të gdhihet, do të jetë prej banorëve të Xhenetit.”