Sahihu i Buhariut — Hadithi 6331

19. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe lutu për ta...”, si dhe veçimi i vëllait me lutje pa u lutur për vete

Ebu Musai tregon se Pejgamberi ﷺ është lutur: “O Allah, fale Ubejd ibn Amirin! O Allah, falja mëkatin Abdullah ibn Kajsit!”

6331. Nga: Seleme ibn Ekvai

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Selemes se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur shkuam në Hajber me Pejgamberin ﷺ, një burrë tha: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Atëherë ai zbriti dhe filloi të recitojë poezi duke thënë:
"Për Allahun, sikur të mos ishte Allahu, ne nuk do të udhëzoheshim...”
Recitoi më shumë se kaq, por nuk e mbajta në mend. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës?”
- Amir ibn Ekvai, - i thanë.
- “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, sikur të kënaqeshim edhe pak me të? - tha njëri.
Pejgamberi ﷺ i rreshtoi njerëzit për luftë dhe, gjatë luftës, Amiri u godit me tehun e shpatës së vet dhe vdiq. Me t'u ngrysur, njerëzit ndezën shumë zjarre, gjë që bëri të Dërguarin e Allahut ﷺ të pyesë:
- “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?”
- (Po ziejmë) mish gomarësh, - i thanë.
- “Derdheni atë që është në to dhe thyejini enët!”
- O i Dërguari i Allahut, a bën t'i derdhim enët dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush.
- “Bën edhe ashtu!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6331

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?