Sahihu i Buhariut — Hadithi 6395
58. Nënkapitulli: Lutja kundër idhujtarëve
Ibn Mesudi tregon se Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, më ndihmo kundër tyre me shtatë vjet (thatësie) sikurse shtatë vitet e Jusufit!” Po ashtu, u lut: “O Allah, shkatërroje Ebu Xhehlin!” Ibn Omeri tregon se Pejgamberi ﷺ u lut në namaz: “O Allah, mallkoje filanin e filanin!” Derisa Allahu i Madhëruar e zbriti ajetin: “Ti nuk ke asgjë në dorë...” (Ali Imran, 128)
6395. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hebrenjtë e përshëndesnin Pejgamberin ﷺ duke i thënë: “Esamu alejkum (Vdekja qoftë mbi ju)!” Unë e kuptova fjalën e tyre, andaj u thashë: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!” Pejgamberi ﷺ më tha: “Qetësohu, oj Aishe! Vërtet Allahu i Lartësuar e do butësinë në çdo gjë.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk i dëgjove çfarë thanë?” Pejgamberi ﷺ më tha: “A nuk dëgjove se unë ua ktheva atyre atë (lutje) dhe u thashë: “Ve alejkum (Edhe mbi ju qoftë)!”?”