Sahihu i Buhariut — Hadithi 6408

66. Nënkapitulli: Vlera e dhikrit (përmendjes) së Allahut të Madhëruar

6408. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka disa melekë që enden nëpër rrugë duke i kërkuar ata që e përmendin Allahun. Kur gjejnë njerëz që e përmendin Allahun, i thërrasin njëri-tjetrit: “Ejani tek ajo që po kërkojmë.” Pastaj i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Ndërkohë, Zoti i tyre i Madhëruar i pyet, edhe pse Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?”
- Të lartësojnë, të madhërojnë, të falënderojnë dhe të lavdërojnë, - thonë melekët.
- A më kanë parë Mua ndonjëherë? - i pyet Allahu.
- Jo, betohemi në Allahun se nuk të kanë parë, - thonë melekët.
- E çfarë
(do të vepronin) po të më kishin parë?
- Po të të kishin parë, do të ishin adhurues edhe më të denjë, do të të lavdëronin më fort dhe do të të madhëronin më shumë, - thonë melekët.
- Çfarë po kërkojnë nga Unë? - i pyet Allahu.
- Po ta kërkojnë Xhenetin, - thonë melekët.
- A e kanë parë atë? - i pyet Allahu.
- Jo, o Zoti ynë, betohemi në Allahun se nuk e kanë parë, - thonë melekët.
- E çfarë
(do të vepronin) po ta kishin parë? - i pyet Allahu.
- Po ta kishin parë, do të ishin edhe më të zellshëm për të, do ta kërkonin më me ngulm dhe do të lakmonin më shumë në të, - thonë ata.
- E nga çfarë kërkojnë mbrojtje?
- Kërkojnë mbrojtje nga Zjarri, - thonë melekët.
- A e kanë parë atë? - i pyet Allahu.
- Jo, o Zoti ynë, betohemi në Allahun se nuk e kanë parë, - thonë melekët.
- E çfarë
(do të vepronin), po ta kishin parë? - i pyet Allahu.
- Po ta kishin parë, do të iknin prej tij edhe më me ngulm dhe do të frikësoheshin prej tij edhe më shumë, - thonë ata.
- Ju bëj dëshmitarë se Unë ua kam falur atyre
(mëkatet), - u thotë Allahu.
Njëri prej melekëve thotë: “Por, në mesin e tyre gjendet edhe filani, i cili s'është prej tyre (në adhurim), por ka ardhur për një punë të veten?
- Ata janë njerëz që, kushdo që i shoqëron, s'do të mbetet i pafat, - thotë Allahu Fuqiplotë.”

Shuëbe e transmeton nga Ameshi, porse nuk ia atribuon Pejgamberit ﷺ. Po ashtu, e ka transmetuar Suhejli nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6408

Fjalë të panjohura?