Sahihu i Buhariut — Hadithi 6427

7. Nënkapitulli: Ruajtja nga bukuritë e dynjasë dhe nga garimi për të

6427. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gjëja prej së cilës kam frikë më së shumti për ju është fakti se Allahu do t'jua hapë begatitë e Tokës.” Dikush pyeti:
- Çka janë begatitë e Tokës?
- “Bukuritë e dynjasë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- A ka mundësi që prej së mirës të vijë e keqja? - pyeti ai.
Pejgamberi ﷺ heshti, derisa e kuptuam se po i zbret shpallja. Më pas, e fshiu fytyrën e djersitur dhe tha:
- “Ku është pyetësi?
- Ja tek jam, - tha pyetësi.
Ebu Seidi shton: “Ne e lavdëruam atë për paraqitjen e tij.”
- “Prej së mirës gjithmonë vjen e mira. Pasuria është e hijshme (e bukur për sy) dhe e ëmbël. Gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën duke e fryrë ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që është mësuar me bar të njomë (atë nuk e dëmton), (e cila ha) derisa t'i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), përtypet, bajgos e urinon, dhe prapë kullot. Pasuria është e ëmbël. Për atë që e fiton me të drejtë dhe e harxhon me të drejtë, sa ndihmë e mirë që është ajo! Ndërkaq, ai që fiton pasuri padrejtësisht është sikurse ai që ha e nuk ngopet”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6427

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?