Sahihu i Buhariut — Hadithi 6443

13. Nënkapitulli: Ata që grumbullojnë (në këtë botë) janë ata që kanë pak (në ahiret)

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua plotësojmë shpërblimin e veprave të tyre në dynja, dhe nuk do t’u mungojë gjë. Këta janë të cilët në botën tjetër nuk do të kenë kurrgjë, përveç Zjarrit. Do t’u shkatërrohet çdo gjë që kanë bërë në të (këtë botë) dhe e kotë është ajo që e kanë punuar. (Hud, 15-16)

6443. Nga: Ebu Dherr Gifariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, dola dhe pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ tek ecte vetëm, s'kishte askënd me vete. Duke menduar se nuk ka dëshirë që dikush të ecë me të, unë vazhdova të eci nën hijen e hënës (për të mos u parë), mirëpo ai u kthye papritmas, më pa dhe tha: “Kush është?”
- Ebu Dherri. Allahu më bëftë kurban për ty! - iu përgjigja.
- “O Ebu Dherr, eja!” - m'u drejtua ai.
Kështu, unë eca me të për një kohë, pastaj më tha: “Ata që grumbullojnë, ata do të kenë pak Ditën e Kiametit, përveç atij që Allahu i ka dhënë mirësi e ai jep djathtas e majtas, para e mbrapa dhe bën vepra të mira me të.”
Ecëm dhe pak kohë, pastaj më tha: “Pritmë këtu!” Më uli në një luginë të rrethuar me gurë dhe më tha: “Prit këtu, derisa të kthehem.”
Ai shkoi drejt pllajës, saqë më humbi nga sytë, ku qëndroi gjatë. Teksa po kthehej, e dëgjova duke thënë: “Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina.”
Pasi arriti, nuk m'u durua pa e pyetur:
- O i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, kujt i flisje teksa ishe në pllajë? Nuk dëgjova askënd të të përgjigjej.
- “Ai qe Xhibrili ﷺ. Më erdhi në pllajë dhe më tha: “Përgëzoje umetin tënd se, kushdo që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet, - u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ. - O Xhibril, edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta.
- Po, - më tha Xhibrili.
- Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta prapë.
- Po.
- Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta sërish.
- Po, -
m'u përgjigj ai, - madje edhe nëse pi alkool.”

Nadri ka thënë: “Na ka rrëfyer Shuëbe dhe na ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti nga Ameshi dhe Abdulaziz ibn Rufeji, e këtij ia ka treguar këtë Zejd ibn Vehbiu. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Hadithi i Ebu Salihut nga Ebu Derdai është i shkëputur (mursel), pra nuk është i saktë.” E kemi transmetuar sa për ta pasur parasysh, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Dikush i tha Ebu Abdullahut: “(Ç'thua për) hadithin e Ata ibn Jesarit nga Ebu Derdai?” Tha: “Edhe ai është i shkëputur (mursel), nuk është i saktë, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Po ashtu tha: “Fshijeni këtë hadith të Ebu Derdait: “Kushdo që vdes me fjalën: “La ilahe il-lallah.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6443

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?